Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj e ka nisur mbarë vitin 2017. Në garat e Kupës së Republikës të zhvilluara ditën e djeshme në Tiranë, ai ka treguar një formë të mirë sportive duke merituar vendin e parë në peshën e tij. Qerimaj ka konkurruar në peshën 85 kilogramë dhe natyrisht që garën kryesisht e kishte me vetveten pasi forma e tij e mirë sportive, i vuri në vështirësi kundërshtarët.


 

Në stilin e shkëputjes, shtangisti shkodran ka arritur të ngrejë 160 kilogramë ndërsa në stilin e shtytjes, në shtangë ka vënë 190 kilogramë të cilat i ka ngritur me sukses duke zënë kësisoj edhe vendin e parë në dygarësh me 350 kilogramë. Natyrisht që kjo garë më tepër është konsideruar si një test për këtë sportist sepse siç dihet, vëmendja më e madhe e tij është e përqendruar tek Kampionati Europian që do të zhvillohet në datat 2-8 prill në Split të Kroacisë. Qerimaj e ka provuar edhe më parë që të shpallet Kampion Europe dhe natyrisht që edhe për kampionatin e rradhës, ka objektiva seriozë për t’u futur në zonën e medaljeve. Muaji mars do të jetë shumë vendimtar në përgatitjet e tij të fundit për këtë eveniment shumë të rëndësishëm dhe mbetet për t’u parë nëse Federata do ta grumbullojë ekipin kombëtar apo jo. Peshëngritësi shkodran gjatë kësaj periudhë është stërvitur në qytetin e tij në një palestër të improvizuar dhe tashmë duhet patjetër që këto kushte të ndryshojnë sepse Shqipëria mund të ngjitet në podium sërish edhe në Europianin e Splitit.

© shkodrasport.com