Pavarësisht shumë mungesave, Vllaznia do të kërkojë të marrë pikë në sfidën ndaj kampionëve në fuqi të Skënderbeut. Mosprania e disa prej titullarëve në këtë takim, e ka vënë shumë në vështirësi trajnerin Armando Cungu i cili madje për të plotësuar 18-shen, është detyruar të marrë futbollistë edhe nga ekipi B dhe ai U-19. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se lojtarët që do të zbresin në fushë sot në orën 17.00 të mos bëjnë më të mirën për të marrë pikë ndaj këtij kundërshtari. Të paktën nga ajo çfarë është provuar në seancat e fundit stërvitore, kuqeblutë do ta nisin ndeshjen me portierin Agoviç ndërsa para tij, katërshja e mbrojtjes do të jetë e përbërë nga Gurishta që do të luajë në të djathtë, Bicaj dhe Marku në qendër të saj si dhe kapiteni Shtubina që këtë herë do të luajë si mbrojtës i majtë. Para këtij reparti, në vend të Krymit që mungon për arsye kartonash, stafi ka vendosur të kthejë disi më prapa Tafilin ndërsa para tij do jetë Bardulla dhe Dyca. Ky i fundit mesa duket ka fituar “balotazhin” me Krujën për këtë vend. Në rolin e mesfushorëve të avancuar do të jenë Kalaja në të majtë dhe Çinari në të djathtë ndërsa në majë të sulmit, do të luajë Bakaj. Me këtë 11-she Vllaznia sigurisht që do të ketë vështirësi ndoshta ndaj Skënderbeut por asgjë nuk është e pamundur. Trajneri Cungu e ka bërë të ditur se nëse djemtë japin maksimumin në fushë dhe tregojnë atë karakter që kanë treguar në ndeshjet e fundit, mund t’ia dalin të marrin një rezultat pozitiv. Kuqeblutë janë të grumbulluar që nga pasditja e djeshme në rezidencën e tyre të zakonshme, “Gardenland Resort” dhe presin që në “Loro Boriçi” të kenë edhe mbështetjen e tifozëve të zjarrtë shkodranë.

© shkodrasport.com