Opinion nga Mejdan ZHIVANI


Rastësi apo një realitet jo i këndshëm, por të dielën në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës do të përballen me njëra-tjetrën historia e klubit më të vjetër në futbollin shqiptar Vllaznia e Shkodrës, me debutuesen për herë të parë në elitën e futbollit tonë, pra në Superligë, Kamzën. Në fillim të sezonit, aq që mendoj, as në ëndërr, që në një moment të caktuar, aq më tepër në fazën e dytë, një ndeshje e tillë që mund të ngjallte kaq shumë interes, e në mënyrë të veçantë për kuqeblutë. Rastësi apo jo, por ky është një realitet, ku takimi i së dielës mes këtyre dy skuadrave është tepër jetikë për Vllazninë, duke u konsideruar me të drejtë një ndeshje delikate. Nuk do shumë kohë apo analizë për ta vërtetuar një gjë të tillë. Diferenca me shkodranëve dhe kamzalinjëve në tabelën e klasifikimit është me vetëm tre pikë, ku natyrisht përpara në renditjen e superligës qëndron Vllaznia. Por çdo rezultat tjetër përveç fitores, nga kjo e fundit, duke qenë se është dhe skuadra pritëse do të konsiderohej “vetë-vrasje” për kuqeblutë, pasi do të fillonin dhe të notonin në “ujëra të turbullta” të fundit të tabelës së këtij kampionati. Parimisht, janë të paktë ata që nuk e mendojnë fitoren e Vllaznisë në këtë përballje, nisur nga shumë faktor, por në krahun tjetër s’duhet të harrojmë se Kamza në këtë kampionat, në momente të caktuara ka bërë dhe surpriza. Por jo vetëm kaq. Në javët e fundit shkodranët nuk kanë treguar një lojë solide dhe bindëse, ndërsa kundërshtari vjen më i qetë, pasi mendon të marrë qoftë dhe një pikë dhe në këtë mënyrë presioni bie mbi kuqeblutë. Nëse Vllaznia nuk fiton ndaj Kazmës, do të jetë një situatë tepër e vështirë në javët në vazhdim dhe e rënduar dhe nga ana psikologjike, pasi sfidat e mëvonshme janë vërtetë të vështira si me Teutën, Kastriotin, Tiranën apo Flamurtarin, që asnjëra prej tyre, pavarsisht se ku mund të luhet, nuk mund të konsiderohet e lehtë për t’u kaluar. Prandaj si rastësisht apo e ndikuar nga faktorë, të cilët janë të “kultivuar” prej kohësh një e nga një tek kuqeblutë, bëjnë që takimi me Kamzën këtë të dielë të jetë tejet i rëndësishëm në të gjitha drejtimet, e në mënyrë të veçantë për t’u fituar. Kuqeblutë nga ana e tyre duhet të marrin të gjitha masat për të mos u mjaftuar, qoftë as me një barazim, se ndryshe rrezikohet një sezon i tërë në kampionat, ose më saktë vihet në dyshim, pse jo qëndrimi në Superligë. Kjo s’duhet të ndodhë, edhe sikur Vllaznia të luajë me formacion të dytë apo me lojtarë të rinj, ndaj Kamzës.