Takimi i nesërm në mes këtyre dy skuadrave vlen shumë për secilën prej tyre. Janë dy të fundit në tabelën e renditjes dhe padiskutim që suksesi në këtë takim do ishte një frymëmarrje për to. Kuptohet që meqenëse luhet në Shkodër, Vllaznia është favorite për ta fituar këtë ndeshje dhe madje nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër përveç këtij rezultati. Për Lushnjën mund të vlejë edhe barazimi sepse do t’i mbante edhe shkodranët aty afër në renditje. Në pamje të parë mund të jetë edhe një përballje trajnerësh, Gjoka- Dedja. Të dy ata kanë vetëm pak kohë që kanë marrë drejtimet e këtyre ekipeve. Janë munduar t’i japin atyre diçka ndryshe megjithatë u duhen pikët. Padyshim që trajneri shkodran i lushnjarëve duke njohur ambjentin në Shkodër, do të mundohet t’i gjejë pikat e dobëta ish- skuadrës së tij në mënyrë që së paku, të dalë me një barazim nga ky stadium. Nga ana tjetër, Gjoka po flet përditë për ndryshim mentaliteti të kuqebluve dhe ende nuk ia ka dalë ende. Po punon fort përditë megjithatë i duhen pikët. Mbase me një trepikësh nesër, gjërat mund të marrin rrjedhë tjetër dhe për këto arsye, sfida e nesërme konsiderohet shumë e rëndësishme jo vetëm për të dy skuadrat por edhe për dy trajnerët e tyre.

© shkodrasport.com