Peshëngritësit e kombëtares shqiptare janë në përgatitjet e fundit për pjesmarrjen në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet pas pak ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ndër pjestarët e kombëtares tonë është padyshim edhe Erkand Qerimaj. Një peshëngritës të cilit nuk i kanë munguar sukseset në garat kontinentale ku është shpallur edhe kampion Europe. 29-vjeçari tani synon të ketë rezultat edhe në botëror. “Synimi në këtë botëror është të marr medalje, duke parë edhe rezultatet që kam arritur gjatë kësaj periudhe në stërvitje”- është shprehur ai. Përgatitjet kësaj here kanë qenë në kushte më të mira. “Jemi stërvitur për 20 ditë, po të ishte kohë më e gjatë do të ishte më mirë”- thotë më tej Qerimaj. Erkandi sëbashku me ekipin është grumbulluar në Durrës dhe përgatitjet po shkojnë mirë. Tani janë ulur ngarkesat, pasi gara po afron. Në këtë aktivitet nuk do të jetë Daniel Godelli, pasi nuk arriti të siguronte vizë. Sportistët shqiptarë të cilët janë 5 në total për këtë kampionat favorizohen edhe nga mungesa e peshëngritësve e shteteve të rëndësishëm në këtë sport mes tyre Rusia dhe Kina të përjashtuara për rastet e dopingut. Kampionati Botëror i Peshëngritjes do të mbahet nga 28 nëntori deri më 5 dhjetor në qytetin e Anheimi në Kaliforni.

© shkodrasport.com