Vllaznia ka pasur një ecuri fantastike në këtë pjesë të parë të sezonit dhe planet për merkaton e janarit, mund të kenë ndryshuar rrënjësisht.

Nëse shumëkush në fillim mund ta mendonte skuadrën kuqeblu, pretendente për mesin e artë, tanimë, puna po bëhet për objektiva edhe më madhorë. Edhe merkatoja e tillë pritet. Kësisoj, para se të nisin gjetjet dhe firmat e reja për përforcimet e nevojshme, te Vllaznia kanë nisur spastrimet.

Sulmuesi Moldav, Eugeniu Sidorenko ka mbyllur bashkëpunimin me kuqeblutë, ende pa i përfunduar kontrata (31 dhjetor 2020). Atij nuk iu ofrua rinovim nga klubi dhe kësisoj, ka mbyllur aventurën në Shkodër.