Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia do jetë takimi që do marrë vëmendjen e të gjithëve këtë javë. Kryeqytetasit dhe shkodranët do jenë përballë ditën e premte në orën 16:00. Ndeshje që do zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Dueli i gjen të dy ekipet në formë optimale, pasi vijnë nga fitore në takimet e javës së shkuar.

E po ashtu vetë domethënia që mbart “klasikja” do ia shtojë akoma më tepër bukurinë ndeshjes. Por statistikat e dueleve të fundit mes Tiranës dhe Vllaznisë flasin qartë në favor të bardhebluve. Në 8 duelet e fundit në kampionat, Vllaznia nuk ka arritur të fitojë asnjëherë kundër bardhebluve, duke regjistruar kështu 2 barazime dhe 6 humbje. Për herë të fundit kuqeblutë kanë fituar në datën 21.11.2020.

Pra thuajse 2 vite më parë ju gjithçka në Shkodër mbyllej në shifrat 3-2. Falë një dopiete të Herald Markut dhe një goli në minutën e fundit të Ismael Dunga. Për të shikuar një fitore në transfertë kundër Tiranës duhet të kthehemi shumë pas në kohë. Dhe më konkretisht para 5 vitesh e gjysëm, ku në datën 31.03.2017, Vllaznia fitonte 1-2 në “Selman Stërmasi”.

Ku golit të Gocajt i përgjigjej Cisse për Tiranën dhe fitoren për kuqeblutë do e vendoste një gol i shënuar nga Gurishta. Dhe dy heronjtë e fundit të Vllaznisë kundër Tiranës si Marku dhe Gurisht priten në fushë ditën e premte. E kjo për të thyer edhe “tabunë” në sfidat kundër bardhebluve, ku në vitet e fundit janë i vetmi ekip që ka statistika pozitive kundër Vllaznisë.
Endri ÇINARI