Një ndeshje shumë interesante, përballja me korçarët, por sot Vllaznisë i duhet të bëjë pa plotë tre lojtarë të rëndësishëm. Sikur të mos mjaftonin mungesat që ishin në takimin e kampionatit ndaj Kamzës, kësaj radhe, në mesjavë, është shtuar dhe mungesa e mesfushorit Osli Gocaj, të cilin kohët e fundit e kemi parë të pozicionohet në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ai është dëmtuar dhe dje nuk ka qenë fare në stërvitjen e fundit, që kuqeblutë kanë zhvilluar në prag të ndeshjes së kthimit me Skënderbeun. Gocaj është një ndër pikat më të forta të Vllaznisë dhe mungesa e tij nuk mund të anashkalohet lehtë. Megjithatë nuk është vetëm ai, që do t’i mungojë skuadrës shkodrane për këtë takim. Dy mesfushorët e tjerë Edon Hasani dhe Florind Bardulla janë mungesa të konfirmuara, që prej takimit me Kamzën, apo më saktë të themi, që në prag të kësaj ndeshjeje, ku Vllaznia fitoi thellë 4-0. Këto tre mungesa nuk do të jetë të lehta për t’u zëvendësuar nga trajneri Rudi Vata, pavarsisht se për të, çdo futbollist që stërvitet me fanellën e kësaj skuadre dhe pretendon të jetë titullarë në ndeshje të tilla, është i njëjtë dhe i barasvlefshëm me çdo futbollist tjetër, që mund të konsiderohet në lehtë titullar dhe i paprekshëm. Pra numri një i pankinës shkodrane beson te çdo lojtar, të cilin e stërvit çdo ditë. Gjithsesi projektimi i formacionit kësaj radhe nuk do të jetë i lehtë, pasi Vllaznisë i duhet të fitojë medeomos, apo të paktën të mos humbasë, për të shpresuar kalimin e turit tjetër të Kupës së Shqipërisë. Nga sa mësohet me shumë gjasa në fund të Gocajt do të luajë i riu Markolaj dhe Smajli, një ndër më të mirët në takimin e fundit me Kamzën, të rikthehet edhe një herë në rolin e tij natyral, atë të mbrojtjësit, ku luante ndeshjet e fundit, Gocaj. Ndërsa pjesa tjetër me shumë gjasa do të jetë e pandryshueshme, ashtu si në takimin me Skënderbeun. Në portë Vujadinoviç, ndërsa mbrojtja do të jetë me katërshen Smajli, Vuk, Kraja dhe Belisha. Nga e majta në të djathtë të mesfushës do të jenë Popoviç, Bërnoviç, Moreno dhe Markolaj, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Hajdari-Jabllan. Ashtu siç e patëm pohuar dhe një ditë më parë, takimi mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, ku korçarët janë ekipi pritës, do të zhvillohet në stadiumit e Laçit, pasi stadiumi i Korçës vazhdon të jetë i dënuar nga komisionet juridike të FSHF-së. Në ndeshjen tjetër të grupit B, do të përballen në Vlorë Flamurtari-Laçi. Një pikë e mundshme e shkodranëve, ndaj korçarëve sot, do të ishte shumë e vlefshme dhe e rëndësishme për ta, pasi në javët pasardhëse do të presin në Shkodër Flamurtarin, me shpresën për ta mundur, që do t’i mundësonte Vllaznisë kalimin direkt në gjysmëfinale të Kupës së Shqëipërisë. Të shohim.

Mejdan ZHIVANI