Nga Mejdan ZHIVANI

Ka tre vjet që është ndarë nga jeta legjenda apo “mbreti” i futbollit shqiptar, si të doni quajeni, Panajot Pano, e pikërisht sot ai ka ditëlindjen, që nëse do të ishte fizikisht mes nesh, do të festonte 74-vjetorin e lindjes, pasi pikërisht sot është ditëlindja e tij. Por në fakt duket se “mbreti” Pano është ndarë vetëm fizikisht nga kjo botë, pasi ai vazhdon të mbetet i gjallë në zemrat dhe mendjet e gjithë shqiptarëve, të të gjithë sportdashëve, njerëzve të thjeshtë, bashkëkohës të tij, njerëzve të medias, e të kujtdo tjetër që ka arritur ta shohë nga afër të luajë futboll këtë gjeni, apo kushdo që e ka parë përmes televizionit apo ka dëgjuar dhe lexuar për të. “Nderi i Kombit”, i ndjeri Panajot Pano, realisht ka tre vet, që është ndarë nga jeta, por ai përkujtohet dhe nderohet çdo vit, me organizimin e një kupe me emrin e tij, e cila tashmë është kthyer në një aktivitet të përvitshëm, e do të vazhdojë kështu dhe në të ardhmen. Një organizim i tillë nuk bëhet nga ndonjë klub futbolli, Federata Shqiptare e Futbollit apo ndonjë institucion i lartë shtetëror, që ai vlen të respektosh një figurë të tillë, por me inisiativën e vetë gazetarëve sportiv të kryeqytetit dhe të Shkodrës, ku ideatori dhe organizatori në fakt i gjithçkaje për këtë turne, por edhe të mëparshmit është gazetari i mirënjohur sportiv, Defrim Methasani. Ashtu si dy vite më parë, kur filloi të organizohej Kupa “Panajot Pano”, edhe sivjet shënoi edicionin e tretë radhazi, duke u kthyer tashmë në traditë, ky aktivitet vazhdon të bëhet gjithnjë e më interesant. Duke qenë se dje është orgazinuar Kupa “Panajot Pano” e treta, që prej vdekjes së tij, ajo ishte e shtrirë në përmasa dhe organizim shumë herë më shumë dhe më mirë se dy vitet e tjera, me një pjesëmarrje të gjerë të shumë prej figurave të futbollit shqiptar, njerëz të medias, tifozë të Partizanit, aty ku i ndjeri P.Pano kaloi gjithë karrierën e tij, por edhe dashamirës dhe njerëz të thjeshtë, që kishin dëshirë, që të shijonin nga afër këtë aktivitet, në nderim të një figure unikale në futbollin shqiptar.

FSHF-ja, fituese e këtij edicioni të Kupës “Panajot Pano”

Normalisht, se për nga mënyra e organizimit të këtij aktiviteti, kishte shumë ngjashmëri nga dy vitet e tjera, por organizatori kryesorë, Defrim Methasani, kishte menduar edhe detaje interesante, kësaj radhe, në të gjitha aspektet. Ashtu si zakonisht morën pjesë gjashtë ekipe, por kësaj radhe ishte edhe institucioni i futbollit në vendin tonë, FSHF, që mori pjesë me ekipin e tij, ku në përbërje ishin disa nga ish-futbollistët e shquar të kombëtares shqiptare në 15 vitet e fundit, ku dhe u shpallën fitues të turneut, që fillimisht u zhvillua me sistem grupi, pastaj ndeshja finale. Për të fituar trofeun e Kupës “Panajot Pano”, u ndeshën në finale “Tring Dixhitalb” dhe FSHF, ku kjo e fundit doli fituese me rezultatin 5-3, ku deri 5 minuta nga fundi i takimit, në avantazh ishte “Tring Dixhitalb”. Gjithsesi perfomanca e ish-futbollistëve të kombëtares shqiptare si Foto Strakosha, Altin Rraklli, Alban Bushi, Ilir Shulkut, Endri Hyka, bëri që gjithçka të përmbysej dhe këtë edicion këtë kupë ta fitojë me meritë ekipi i FSHF-së, ku në përbërje kishte edhe të tjerë si Vasillaq Zëri, Denis Bastari, Denis Lilo, Marjus Sulejmani e të tjerë. Përveç ekipit fitues, një kupë ishte menduar dhe për sportistin më të mirë të aktivitetit, që e meritoi Alban Bushi. Për secilin për lojtarëve të ekipit fitues u shpërndanë dhe medjale. Përveç këtyre dy ekipeve, që dolën në finale, morën edhe Shkodra, që si zakonisht nuk mungon në evenimente të tilla, “Super Sport”, “Sporti Shqiptar” dhe TVSH (Televizioni Publik Shqiptar). I gjithë aktiviteti, i cili u organizua në kompleksin sportiv të pishinave në Tiranë, është shoqëruar dhe nga komentimi i gazetarëve të njohur sportiv si Defrim Methasani, Rrok Preçi dhe të Ervin Bakut.

Pjesëmarrja e mjaft figurave të sportit

Ndryshe nga dy vitet e kaluara, kësaj here numri i ish-bashkohësve të Panajot Panos, ishte më i madh. Binte në sy prezenca e mjeshtrave si Miço Papadhopudhi, Shyqyri Rreli, Mikel Janku, Armando Cungu, aktori dhe moderatori i mirënjohur Agron Llakaj, e mjaft të tjerë. Padyshim që ishin dhe njerëz dhe të afërt të të ndjerit P.Pano, si dhe i biri Ledio, i cili shpërndau dhe medaljet e ekipit fitues. Edhe një herë tjetër, njerëzit e medias e respektuan, ashtu siç dinë vetëm ata, maksimalisht këtë aktivitet, që mban emrin e një legjende të paarritshme në futbollin shqiptar, Panajot Pano.

Shkodra, si gjithnjë surpriza e aktivitetit

Natyrisht që organizatorët e kupës “Panajot Pano”, i kanë menduar mirë çdo detaje, duke rezervuar gjithnjë një ftesë dhe për Shkodrën, si një vlerë me vehte, e që kjo e fundit vazhdimisht e ka vlerësuar dhe respektuar maksimalisht, qoftë aktivitetin në tërësi, por edhe figurën e Panajot Panos në veçanti. Kështu, që edhe dje gazetarët sportiv të Shkodrës ishin një nga surprizat e këtij aktiviteti, jo për faktin e paraqitjes së tyre në fushën e blertë, me kundërshtarën, që u përballën me me dhuratën, që kishin rezervuar për familjen Pano, që do të mbetet një ndër kujtimet më të bukura të këtij aktiviteti ndër vite. Një fotografi e madhe, e bërë enkas për këtë aktivitet, ku i ndjeri P.Pano ishte së bashku me mikun e tij më të ngushtë të jetës, të madhin Sabah Bizi, ka qenë vërtetë një surprizë, duke impresionuar të gjithë të pranishmit dhe në mënyrë të veçantë, të birin Ledio, që për pak minuta, sytë e tij mbeten të ngulitur tek kjo fotografi, pa thënë asnjë fjalë, me përjashtim të një “faleminderit” me gjysmë-zëri”, i mallëngjyer nga kjo foto. Përveç nderimit dhe vlerësimit që i bëhet figurës së P.Panos me pjesëmarrjen në kupën e organizuar me emrin e tij, surpriza e mbërritur nga Shkodra, ka qenë dhurata e vetme kësaj radhe.

Dy fjalë për kontribuesin kryesor të aktivitetit

Si gjithnjë dhe çdo vit nuk mungojnë dashamirësit e shumtë, qofshin këta njerëz të thjeshtë apo njerëz të biznesit, që me mënyra të ndryshme të jenë pjesë e rëndësishme e aktivitetit për kupën “Panajot Pano”. Kësaj here konbtribuesi kryesor ka qenë biznesmeni i njohur Safet Gjici, presidenti i firmës “Gjici”, njëkohësisht dhe zëvendës-presidenti i ekipit të Kukësit. Ai kishte marrë përsipër të gjitha shpenzimet, duke organizuar një aktivitet model dhe që ai ka vlejtur për një figurë të tillë të futbollit shqiptar. Ideatori dhe promovuesi kësaj kupe, Defrim Methasani, ka qenë si gjithnjë i palodhur për të përgatitur gjithçka me detaje, që për nga mënyra e organizimit e deri në fund, ku çdo gjë ka qenë perfekte. Në krah të Methasanit ishte dhe gazetari tjetër sportiv Andi Matraxhiu, që ka kontribuar dhe ai për organizimin e këtij aktiviteti. Gjithashtu nuk mund të lihet pa përmendur shoqatën e tifozëve të Partizanit, e cila ishte prezent, nga fillimi në fund, duke sjellë aty dhe banderola për figurën e P.Panos. Vitin tjetër kjo Kupë do të ketë përmasa akoma më të mëdha.

Pas dy javësh Kupa “Mehdin Zhega” në Shkodër

Nderimi i figurave të shquara të futbollit shqiptar nga gazetarët sportiv, duket se po kthehet në traditë, edhe pse këta të fundit nuk kanë fonde apo institucione përkatëse për të tilla aktivitete, por ata kën shpirtin e madh për të nderuar figura të tilla dhe për t’i vlerësuar në maksimum, edhe kur institucionet nuk i bëjnë dot apo neglizojnë apo heshtin. Pas Kupës “Panajot Pano”, të organizuar ditën e djeshme, pas dy javësh në Shkodër do të organizohet një tjetër kupë, por kësaj radhe me emrin e një tjetër kollosi të madh të futbollit shqiptar, Mehdin Zhegën. Ky i fundit prej mëse 7-8 muajsh vazhdon të “luftojë” me vdekjen, nga një hemoragji celebrale.  Edhe kësaj radhe, në nderim të kësaj figure, janë përsëri gazetarët sportiv, inisiator dhe organizator të aktiviteteve të tilla me kontribut human, por me vlera të jashtëzakonshme në respekt të njerëzve të tillë me kontribute të mëdha në futbollin shqiptar siç janë i ndjeri “Panajot Pano”, Mehdin Zhega e të tjerë. Vlera dhe kontributi i tyre, që kanë dhënë për futbollin tonë, në raport me një kupë të tillë, janë fare pak, por megjithatë edhe kjo duket se mjafton për të rikthyer vëmendjen nga emblema të tilla për t’i kujtuar gjithnjë.

Ekipi i gazetareve shkodrane pjesmarres ne kupen “Panajot Pano”