Ndeshja e rradhës për kampionat do ta vërë Vllazninë përballë Luftëtarit të Gjirokastrës. Sfida do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kuptohet që po vlerësohet në maksimum në kampin shkodran. Humbja me Teutën është analizuar tashmë dhe janë nxjerrë edhe mësimet e duhura nga ai takim, ndërkohë që stafi teknik do të mundohet të korigjojë shumë gjëra për takimin e rradhës.

Kalendari i dy javëve të ardhshme është i favorshëm sepse pas Luftëtarit vjen në Shkodër edhe Skënderbeu dhe me 6 pikë të marra, kuqeblutë do të ndjehen më të qetë në renditje. Megjithatë në kampin shkodran askush nuk e ka mendjen tek përballje me korçarët.

E gjithë vëmendja është përqendruar tek sfida me gjirokastritët e kësaj të shtune. Sa i takon këtij takimi, mësohet se do të mungojë për arsye kartonash mbrojtësi Malota por rikthehet nga skualifikimi mesfushori Shtubina. Nga ana tjetër, me interes pritet të mësohet edhe fakti se kush do ta mbrojë portën kuqeblu në këtë takim.

Gjasat janë që pas gabimeve të portierëve Sherri e Laço, këtë herë mes shtyllave të vihet maqedonasi Efremov. I ardhur vetëm pak ditë më parë dhe i federuar me Vllazninë B, sipas rregullores Efremov e ka kryer detyrimin për të luajtur të paktën një ndeshje me këtë ekip teksa ka qenë në fushë në përballjen me Klosin ku ka pritur edhe një 11-metërsh.

Në këtë mënyrë të shtunën ekipi shkodran pritet të aktivizojë portierin e tretë për këtë sezon dhe duke shpresuar që me të, të ketë gjetur stabilitetin në këtë repart mjaft delikat.