Barcelona mund të ndeshë nesër rekordin e pamposhtur të saj në kampionat. Kjo është e mundshme në “Ipurua”, për të barazuar ekipin e Pep Guardiolës.

Ishte sezoni 2010-2011, kur skuadra katalanase nuk humbi asnjë ndeshje nga java e 3-të deri në të 33-tën.

Gjithsej, 31 ndeshje pa u mundur. NJë rekord që mund ta arrijë Barcelona aktuale.

Atë do ta synojë Ernesto Valverde si trajner i tanishëm, por nuk duhet të harrojmë se kjo seri përfshin edhe shtatë ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar me Luis Enrique në drejtim të skuadrës.

Në këtë sezon, Blaugranat kanë 23 ndeshje pa humbje. Trajektorja e skuadrës së Valverde është spektakolare, duke e udhëhequr klasifikimin e La Liga-s bindshëm dhe me distancë nga ndjekësi më i afërt, pavarësisht nga dy barazimet e fundit.

Një pyetje është domosdoshmëri në këtë rast: cila është Barça më e mirë?

Një pyetje që do të hapte një debat të thellë. Të dyja skuadrat janë të jashtëzakonshme.

Ka katër lojtarë, që e përsërisin vetveten në dy llojet e formacionit: Piqué, Busquets, Iniesta dhe Messi. A është Ter Stegen, apo Valdes më i mirë? Umtiti, apo Puyol? Villa apo Luis Suarez?

Natyrisht, do të ketë mendime për të gjitha shijet. Ajo që prevalon është se të dyja skuadrat janë të shkëlqyera. Barcelona e sezonit 2010-2011 e dimë tashmë se sa e aftë ishte.

Ajo fitoi tre tituj. E para ishte Superkupa e Spanjës kundër Sevilla dhe pastaj titulli në La Liga e Champions. Në Barcelonë pyesin veten nëse do të kenë edhe këtë sezon të njëjtën “korrje”.

Ekzistojnë perspektiva të qëndrueshme për “tripletën”. Skuadra është kualifikuar për finalen e Kupës së Mbretit, në të cilën do të përballen me Sevilla.

Pikërisht ky trofe i shpëtoi Barçës së Guardiolës, sepse e humbi finalen kundër Real Madridit.

Situata në La Liga, gjithashtu, e rrit optimizmin në shkallë proverbiale. Barcelona kryeson klasifikimin me shtatë pikë përpara Atlético Madrid.

Në këtë moment të kampionatit, skuadra e drejtuar nga Guardiola kishte pesë pikë diferencë me Real Madridin.

Liga e Kampioneve është një tjetër histori. Barcelona mori titullin e katërt kontinental në atë sezon. Por, skuadra aktuale e Valverde ka ende rrugë për të përshkuar.

E rifillon betejën në Champions javën e ardhshme, në 1/8 finale ndaj Chelsea. Piqué paralajmëroi për euforinë e tepruar dhe ftoi me kujdes tifozët. Mbrojtësi është mjaft i drejtë, sepse në Europë një lojë e keqe të kushton kualifikimin.

Në fund, secili prej jush, lexues të nderuar, mund të të bëjë zgjedhjen e vet me një koment, për të konkluduar se cila Barcelonë është më e mira, ajo e Guardiolës, apo kjo e Valverde./telesport/