Vllaznia U19 ka fituar edhe një tjetër ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë dhe tashmë e sheh vetë në finalen e këtij kompeticioni. Në ndeshjen gjysmëfinale të luajtur paraditen e së mërkurës, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0 ndaj ekipit të Shënkollit që drejtohet nga shkodrani Haris Lika.

Ka qenë një 90 minutësh i dominuar në të gjitha drejtimet nga Vllaznia U19 e cila ka zhbllokuar rezultatin që në minutën e 10-të me anë të sulmuesit Ardit Nikaj. Tetë minuta më vonë do të ishte rradha e kapitenit Arsen Elbasani për të dyfishuar shifrat dhe deri në fundin epjesës së parë nuk do të kishte gola të tjerë.

Në të dytën, në vend që të kishte reagim nga Shënkolli, është sërish ekipi shkodran që dominon në fushën e lojës duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit. Madje jo vetëm kaq sepse ai do të shënonte edhe dy gola të tjerë dhe sërish me të njëjtin autor, NIkajn.

Ky i fundit kësisoj ka kompletuar fitoren 4-0 të Vllaznia U19 ndërkohë që ka shënuar tre gola për vete duke treguar se është një nga lojtarët më me të ardhme dhe jo më kot është edhe në syrin e stafit të ekipit të parë.

Ndeshja në fakt ka qenë shumë e tensionuar dhe këtë e tregon fakti se arbitri i ndeshjes ka akorduar 12 kartona të verdhë dhe 3 të kuq, prej të cilëve ka qenë edhe sulmuesi Muliu i Vllaznisë që është larguar para kohe nga fusha e lojës.

Megjithatë ajo që mbetet është se në finale ka dalë ekipi shkodran dhe padyshim që ai konsiderohet edhe favoriti kryesor për fitimin e Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni./shkodra-sport.com/