Ditën e mërkurë në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, do të luhet ndeshja Flamurtari-Vllaznia, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Edhe pse, Flamurtari ndodhet në Kategorinë e Dytë, në skuadër ka kualitete të mira dhe lojtarë që më parë, kanë luajtur edhe në Superiore. Moçka, Pjeshka, Gocaj, Bicaj, Ribaj apo edhe Ramadani janë disa nga futbollistët që deri më tani kanë bërë një gjysmë-sezoni të parë mjaft të mirë dhe realisht duhet bërë kujdes nga ky Flamurtar dhe të mos nënvlerësohet.

Trajneri i vlonjatëve, Dritan Resuli, pak kohë më parë në një intervistë, theksoi se nuk u druhet shkodranëve, por diçka duhet theksuar se ndeshja fitohet në fushë dhe jo me deklarata.

Ndërkohë, në krahun tjetër, situata në kampin shkodran, pas atij barazimi ndaj Egnatias duket se ka zbehur paksa atmosferën. Stafi teknik do duhet të motivojë lojtarët, pasi brenda pak ditësh, Vllaznia do luajë me Flamurtarin.

Nga sa mësohet, trajneri gjerman Thomas Brdariç, ka në dispozicion të gjithë lojtarët, me përjashtim të mesfushorit Ardit Hoxhaj që është në dyshim akoma dhe në krahasim me ndeshjen kundër Egnatias, Vllaznia pritet ta fillojë ndeshjen me disa ndryshime në emra.

Për t’u marrë në konsideratë, është rikthimi i mesfushorit Liridon Latifi, që mungoi ndaj rrogozhinasve, teksa kishte plotësuar numrin e kartonëve.

Të mërkurën, shkodranët udhëtojnë drejt Vlorës për t’u përballur me Flamurtarin, teksa në Shkodër janë optimist për të kaluar këtë tur, por pavarësisht gjithçkaje, të besuarit e Brdariç duhet të tregojnë formën e tyre në fushë.
Maringlen Zhivani