Vllaznia ka nisur dje përgatitjet për këtë javë. Skuadra do të ketë dy përballje, një të mërkurën në Kupë përballë Burrelit në fushën e kësaj të fundit dhe një në fundjavë në Shkodër përballë ekipit të Luftëtarit. Tekniku maqedonas i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, ka pasur shumë pak kohë për ta përgatitur takimin e sotëm ndaj Burrelit.

Megjithatë, nga sa mësohet, në përballjen me matjanët tekniku do të hedhë në fushën e lojës disa nga lojtarët që kanë pasur pak minuta në këtë sezon e, po ashtu, edhe ata të cilët nuk janë aktivizuar fare.

Mësohet se ndryshimet do të nisin që nga porta e deri në vijën e sulmit. Në portë pritet që të luajë Laço, por mund të ketë hapësirë edhe për të riun Qarri. Në mbrojtje, pritet që të jenë nga e djathta Ruqi, në qendër Ristevski e Çojokaru e në të majtë Repaj.

Në mesin e fushës pritet të jenë Lekaj, Ramadani, i cili nuk do të luajë në përballjen e së dielës ndaj Luftëtarit e Bardulla, i cili është aktivizuar për disa minuta në takimin e fundit me Teutën. Ndërsa për manovrën sulmuese pritet që në këtë takim të jetë treshja Emerson, i cili mund ta ketë si një provë gjenerale këtë aktivizim pas rikthimit nga ai dëmtim që ka në këmbë.

Po ashtu edhe Uenderson do të kërkojë më shumë minuta që të jetë i gatshëm. Me shumë gjasa një tjetër forcë pritet që t’i shtohet këtij reparti, pikërisht sulmuesi shkodran Belad Pusi. Në këtë takim, tekniku mund t’u japë mundësi edhe lojtarëve të tjerë që do të udhëtojnë me skuadrën drejt Burrelit

GOLI

Vllaznia në katër javët e para nuk ka pasur marrëdhënie të mira me golin. Një gol në katër takime dhe ai i shënuar falë një gjuajtjeje të kalibruar të brazilianit Hygor, tregon më së miri se Vllaznia ka vuajtur në finalizim. Stafi teknik, lojtarët dhe specialistët shpresojmë që kuqeblutë të arrijnë shpejt te goli, çfarë mund të sillte edhe ndryshimin e situatës te kjo skuadër. Një gjë e tillë pritet të ndodhë që në përballjen e parë të Kupës, atë që kanë sot në Burrel.

vllaznia

Aktivizimi i një tresheje sulmuesish është shpresëdhënës, mund që të bëjë të mundur edhe shënimin e golave. Vllaznia nga ana e saj ka krijuar raste, të cilat nuk ka arritur që t’i konkretizojë. Që sot drejtuesit presin rregullimin e shënjestrës, në mënyrë që ndaj Luftëtarit sulmi të jetë në formën e duhur.