Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës. Ndërkohë është zhvilluar edhe analiza e ndeshjes së kaluar, asaj të fituar me Lushnjën.

Kjo gjë bëhet e ditur përmes faqes zyrtare të klubit teksa theksohet edhe kërkesa e drejtuesve për të vijuar me rezultatet pozitive edhe në ndeshjet e ardhshme.

Ja çfarë shkruhet në faqen e klubit në lidhje me këtë analizë:

“Vllaznia përpara fillimit të stërvitjes së sotme, ka filluar si zakonisht analizën e ndeshjes së kaluar.

Në të ka marrë pjesë edhe administratori Gjyrezi i cili në fjalën e tij para skuadrës, i ka përgëzuar futbollistët për karakterin dhe shpirtin e garës që treguan në Lushnjë, çka solli edhe fitoren.

Por, njëkohësisht ka kërkuar prej tyre seriozitet maksimal edhe në vazhdim, sepse skuadrën e pret një sfidë edhe më e vështirë, ajo me Teutën, e cila duhet kaluar me sukses edhe ajo.

Kanë folur edhe futbollistët të cilët nuk kanë dashur të marrin merita për fitoren e fundit sepse në fund të fundit kanë bërë detyrën.

Njëkohësisht, disa nga titullarët deklaruar se 3-4 ndeshjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme dhe që do përcaktojnë shumë gjëra për vazhdimësinë.

Nga ana tjetër, trajneri Gjoka ka vlerësuar përkushtimin e shfaqur ndaj Lushnjës por u ka bërë të qartë futbollistëve të tij se kundërshtari i rradhës do të jetë shumë më i fortë dhe do ketë shumë herë më shumë ambicje për të marrë pikë në Shkodër.

Prandaj sipas tij, Vllaznia duhet të tregojë aftësitë e veta në këto ndeshje delikate dhe mundësitë për ta bërë këtë gjë janë.

Ai ka ngritur edhe shqetësimin për ndonjë moment kur skuadra nuk zbatoi detyrat duke i dhënë mundësi kundërshtarit të hynte në lojë por për fat, kuqeblutë morën sërish frenat e lojës në dorë dhe arritën të fitonin.

Me besimin se fitoret mund dhe duhet të vazhdojnë, skuadra ka vijuar me procesin stërvitor duke nisur tashmë përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Teutën.