Gilman Lika e cilëson të pafalshme atë që ndodhi me Vllazninë në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit. Ish-kapiteni i kuqebluve, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka thënë ndër të tjera se shkodranët treguan me atë paraqitje se nuk luftojnë më për titullin kampion.

Në prag të kryendeshjes ndaj Tiranës, ishmesfushori që ka veshur fanellat e të dyja ekipeve, mendon se skuadra e Tomas Brdariç i ka të gjitha mundësitë të triumfojë ndaj kryesuesve. Lika thekson se sulmuesit duhet të bënin më shumë në këtë situatë, duke konsideruar shpërdorimin e rasteve si faktorin kryesor të lënies së pikëve.

Gilman, Vllaznia është e treta në renditje dhe 14 pikë më pak nga kreu. Si e keni parë këtë sezon?
Të them të drejtën, në emra lojtarësh jemi më mirë se sezonin e kaluar. Mirëpo, më duhet të theksoj se Vllaznia e kampionatit të vjetshëm ishte më grup si ekip, në krahasim me këtë aktual. Ky është ndryshimi, prandaj dhe rezultatet nuk kanë qenë të duhurat.

12 barazime në 24 javë kampionat, ju bën habi kjo shifër?
Po, sigurisht. Janë shumë barazime dhe kjo tregon që ekipi ka çaluar pak te faza e sulmit. Duke pasur parasysh ndeshjet dhe se sa raste janë humbur para portës, te vjen shumë keq. Sot duhet të flisnim për një skuadër që ka shumë më tepër pikë, pra për një situatë krejt tjetër. Është fatkeqësi që në disa ndeshje janë lënë pikë.

Ju thatë që ka çaluar sulmi, këtu qëndron sipas jush i gjithë ngërçi te Vllaznia e këtij sezoni?
Është e thjeshtë, lojtarët e sulmit duhet të jenë me efikas. Nëse krijon 6-7 raste të pastra në një ndeshje, atëherë minimumi 2-3 gola duhet t’i shënosh. Problemi është kur nuk arrin të krijosh raste, por ama kur i krijon ato dhe nuk shënon, tregon që lojtarët që janë më afër portës, duhet të bëjnë më tepër.

Në këto 12 ndeshje të mbetura, çfarë mund të bëjë më tepër ekipi?
Nuk e kuptoj pse e kanë ulur ritmin. Duke shikuar ndeshjen e fundit, u duk që nuk po luftojmë më për titull. Kam parë një ekip komplet në gjumë. Këtë s’po e them vetëm për Vllazninë, por po ashtu edhe për Kukësin. Në rregull, e kuptoj që është e vështirë për titullin tashmë, por ekipi duhet të bëjë detyrën e vet deri në fund, pasi asnjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh. Ajo mungesë dëshire në ndeshjen e fundit është e pafalshme. Nuk duhet te ndodhë më, pasi çdo pikë është decizive.

Të shtunën luhet Klasikja me Tiranën, si e shikoni këtë takim?
Një ndeshje e vështirë, besoj do të jetë shumë e luftuar. Nuk ka favoritë, sepse janë të dyja ekipe shumë të mira. Ndeshjen do ta fitojë ajo skuadër që do të ketë më shumë dëshirë për të dalë me tri pikë.

A ka forca sipas jush që Vllaznia ta fitojë këtë takim?
Sigurisht që ka forca dhe këtë gjë e vërtetoi në ndeshjen e fazës së dytë në Tiranë. Por, gjithmonë duke e harruar ndeshjen e fundit.

Një fitore e Vllaznisë e fut sërish këtë skuadër në valle për titull apo mendoni se duhet të kënaqet këtë sezon me Kupat e Europës?
E thashë që ekipi duhet të bëjë detyrën e vet dhe të jetë në 100% çdo ndeshje, sepse derisa e lejon matematika, gjithçka mund të ndodhë.