Vllaznia do të presë Teutën në “Loro Borici” ditën e enjte në orën 15:45 për javën e 15-të të “Abissnet Superiore”. Shkodranët duan rikthimin te fitorja pas dy humbjeve radhazi. Krejt e kundërta për durrsakët që kanë fituar dy të fundit, madje me moral të lartë pas triumfit me kampionët e Tiranës.

Trajneri Mirel Josa duhet të “vuajë” kësaj radhe pasi dëmtimet në mbrojtje kanë zbrazur repartin defensiv. Dajan Shehi u dëmtua ndaj Kastriotit dhe do të mungojë të enjten ndërsa Arsid Kruja u ndëshkua me të kuq dhe rrjedhimisht i duhet të vuajë dënimin.

Dyshja tjetër, Juric e Bulatovic kanë mbyllur vitin dhe në këtë mënyrë, Vllaznisë i “shuhet” një katërshe që mjaft mirë mund të ishte titullare.

Tekniku tiranas është i detyruar t’i besojë akademisë me Smajlin që do të marrë vendin titullar në krahun e djathë ndërsa për herë të parë pritet të debutojë Flori Spahija. 19-vjeçari do të jetë partneri i kapitenin Gurishta në qendër ndërsa majtas do të jetë Hakaj.