Vllaznia është një ndër skuadrat që ka punuar më pak sa i përket merkatos në hyrje, teksa zyrtarizime deri më tani kanë qenë vetëm gjashtë dhe largime 13-të të tilla.

Mirëpo, edhe pse mungojnë zyrtarizimet së fundmi, mësohet se në klub nuk po qëndrojnë duarkryq, por kanë pasur kontakte me futbollistë të ndryshëm, duke i njohur me projektin e këtij sezoni.

Tashmë, më së shumti, sytë janë hedhur nga tregu rajonal, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, me futbollistët që presin të shpërthejnë dhe të tregojnë veten e tyre në futbollin shqiptar, duke e parë edhe si një trampolinë për më lart.

Gjithsesi, për momentin nuk priten afrime zyrtare në Shkodër, edhe për vetë faktin se e kanë marrë me qetësi këtë moment. Kjo, edhe për shkak se kanë dështuar shumë vitet e fundit me afrimet dhe nuk duan të ripërsërisin më të njëjtat gabime, të cilat janë duke i vuajtur edhe sot.
Maringlen ZHIVANI