Vllaznia vazhdon stërvitjet intensive nën drejtimin e Mirel Josës dhe stafit të tij që përbëhet nga ndihmësi Vioresin Sinani, trajneri i portierëve Ideal Lekiqi dhe përgatitësi atletik bullgar, Mihail Tzokov. Skuadra shkodrane është stërvitur në një fushë me bar natyral në Ulqin dhe nga sa mësohet, kushtet atje kanë qenë komode.

Ndërkohë, në fushën “Reshit Rusi”, Vllaznia do të zhvillojë të premten edhe miqësoren e dytë të kësaj mini-faze përgatitore, pikërisht ndaj Veleçikut të Koplikut, që militon në Kategorinë e Dytë.

Realisht, pavarësisht diferencave mes ekipeve, kjo miqësore do t’i shërbejë trajnerit Josa për të parë më mirë gjendjen e futbollistëve, edhe pas asaj miqësoreje që u zhvillua në Mal të Zi dhe Vllaznia e fitoi me rezultatin 0-3.

Në “përgatitjet ulqinake”, lojtarët kanë marrë shumë ngarkesa, teksa të premten Josa do t’i shikojë në kushte loje se çfarë gjendjeje kanë secili futbollist. Burime në klub tregojnë për “Shkodra Sport” se ekipi i Vllaznisë do të ketë dy mungesa të rëndësishme për vazhdimësinë, teksa bëhet fjalë për dyshen e qendërmbrojtësve, Marko Juriç dhe Darko Bulatoviç.

Në ndeshjen me Veleçikun pritet që t’u jepet mundësia të gjithë futbollistëve, veçanërisht atyre që kanë marrë pak minuta.
Maringlen ZHIVANI