Skuadra e Vllaznisë po vazhdon fazën përgatitore tashmë në qytetin e vet, pas asaj prej dy javësh në Austri. Kështu, në fillim të stërvitjes së rradhës, trajneri Mirel Josa u foli futbollistëve për programin stërvitor dhe për ndeshjen ndaj Universitatea Kraiova.

Ai insistoi se Vllaznia ka një grup kompetitiv dhe me pak impenjim, mund të arrijë gjëra të mëdha në këtë fushatë të eleminatoreve të Conference League. Ekipi u stërvit normalisht dhe i gjithë grupi është në gjendje optimale.

Tashmë, kur prej kohësh, është riformatuar edhe grupi, stafi teknik me në krye trajnerin Josa, nuk kanë pasur një detyrë fort të vështirë. Skuadra e Vllaznisë po punon fort në disa aspekte, duke nisur nga ana tekniko-taktike, displina dhe deri te përgatitjet fizike.

Ajo ç’ka është më kryesorja lidhet me faktin që të gjithë futbollistët janë të angazhuar për të kryer me korrektësi të gjithë planin stërvitor. Grupi prej 25-futbollistësh, gjatë seancave stërvitore, ka pasur një program, që përmban krahas nxehjes edhe veprime me top dhe pa top.

Përgjatë dy javëve në Austri, skuadra është “shtrydhur” nga stafi teknik, me në krye trajnerin Josa, nga puna me intensitet të lartë. Numri një i pankinës shkodrane është shumë kërkues, së pari ndaj vetes dhe më pas ndaj futbollistëve, duke kërkuar seriozitet dhe impenjim maksimal në seancat stërvitore.

Deri tani, skuadra e Vllaznisë ka punuar në disa drejtime, duke i kushtuar rëndësi të veçantë ndeshjes së Conference League ndaj Universitatea Kraiova. Edhe në rradhët e futbollistëve shkodranë mbizotëron një atmosferë pozitive, ku të gjithë besojnë se në ndeshjen ndaj Kraiovës, do të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe do ta sigurojnë kualifikimin me sukses për në raundin tjetër.
Maringlen ZHIVANI