Tirana në basketboll për meshkuj nuk është ndalur as në Shkodër nga kampionët në fuqi të Vllaznisë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në “Qazim Dervishi”, ata kanë fituar 84-66 por në fakt, rezultati nuk tregon shumë gjëra që ndodhën në këtë takim. Një sherr në mes basketbollistëve të dy ekipeve në fundin e periodës së parë do të ndikonte shumë në ecurinë e mëtejshme të takimit. Vllaznia në fakt e nisi mirë ndeshjen. Lojtarët e saj u panë me shumë dëshirë në fushë dhe këtë e demostruan në 10 minutat e para që i mbyllën me rezultatin 26-19. Edhe në të dytën, vendasit u mbajtën duke e mbyllur atë 21-25 megjithatë me tre pikë avantazh, shkuan në pushimin e ndeshjes.

Trajneri Gjeçaj megjithatë e dinte çfarë e priste. Largimi me teknikë përjashtimi i Ndojës dhe Dodë Lekndrajt, i ka prishur jo pak punë. Po ashtu, dy lojtarë të tjerë, Daniel Lekndreaj dhe Shabani i plotësuan shpejt 4 gabime personale dhe kjo padyshim që do kishte ndikimin e vet. Për rrjedhojë, me të filluar pjesa e dytë, dy trepikësha të Karajt, kthyen rezultatin në favor të Tiranës dhe ai nuk do ndryshonte deri në fund, madje veç do thellohej. Këtu do ndikonte padyshim edhe dalja i dëmtuar nga fusha e kapitenit Berdica e më pas edhe Shabani plotëson numrin 5 të personaleve dhe kjo bën që kontigjenti i lojtarëve në pankinën shkodrane të zvogëlohej së tepërmi. Tirana e shfrytëzon këtë dhe duke shfrytëzuar përvojën e lojtarëve të saj, do të fitonte periodën e tretë 25-14 ndërsa të katërtën 15-5 duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në shifrat 66-84 në favor të bardhebluve të cilët nuk ndalen sërish në rrugën e tyre drejt titullit kampion. Megjithatë Vllaznia tregoi se mund të rivalizojë dhe me ndonjë përforcim të mundshëm në janar, kjo mund të realizohet.
Sherri
Gjithçka ka ndodhur kur kishte edhe 9 sekonda lojë për t’u mbyllur perioda e parë e ndeshjes. Një aksion i zakonshëm loje i Tiranës, ka përfunduar në një sherr masiv mes lojtarëve. Ndoja duket se ka diçka për të sqaruar me amerikanin Johnson e më pas, atë e pasojnë edhe Shima me Dodë Lekndreajn dhe kjo mjafton që në rrëmujën e krijuar të përfshihen të dy ekipet. Karaj duket se bën një gjest të pahijshëm dhe trajneri Gjeçaj është shumë i revoltuar me të. Po ashtu edhe tifozët e pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, marrin zjarr. Fyerjet në adresë të ekipit të Tiranës, por sidomos të Karajt, nuk reshtin. Në ambjentet e pallatit të sportit shtohen shumë punonjësit e rendit që mundohen të qetësojnë gjithçka por për këtë ndikojnë edhe drejtori i SK Vllaznia Mark Kroqi, inspektori i klubit Astit Zaganjori, trajneri i boksit Zef Gjoni etj. Duke parë situatën e krijuar, arbitrat e ndeshjes vendosin të largohen për disa minuta në dhomat e zhveshjes në pritje të qetësimit të situatës. E gjithë kjo ndërprerje zgjat rreth 30 minuta dhe më pas, gjithçka nis normalisht. Interesant madje ishte fakti që katër lojtarët që u përjashtuan nga loja, e kanë ndjekur vazhdimin e saj sëbashku!!! Megjithatë fundi i ndeshjes do krijonte sërish një rrëmujë të vogël. Një oficer i policisë gjyqësore ka mbërritur në ambjentet e pallatit të sportit ka mbërritur një oficer i policisë gjyqësore që ka hartuar një raport për të sqaruar gjithçka kishte ndodhur dhe ka kërkuar nga komisari i ndeshjes dhe trajneri i Vllaznisë Gjeçaj të nënshkruajnë një deklaratë ku të thonë se nuk kanë asnjë problem me askënd në mënyrë që e gjithë kjo të mbyllet këtu. Një sherr i panevojshëm megjithatë e rëndësishme është që nuk pati asnjë problem dhe u mbyll në mënyrë të tillë.

© shkodrasport.com