Vllaznia nuk ka mundur dot të mundë Tiranën, në një sfidë të luajtur në kryeqytet e që në fund ka fiksuar rezultatin 67-73 në favor të vendasve. Përballja e dy skuadrave më të mirë të Superligës ka dhuruar jo pak emocione, e hapur deri në sekondën e fundit, pasi të dyja ekipet synuan fitoren. Vllaznia pati një shans të mirë të dilte fituese nga kjo sfidë, për më tepër e luajtur në fushën e rivalit kryesor, por miqtë nga Shkodra shpërdoruan avantazhin prej 12 pikësh që kishin pas pjesës së parë.

Sukses që mban bardheblutë në vendin e parë edhe pas takimit që çeli fazën e dytë të kampionatit.Perioda e parë është e ekuilibruar, të dyja ekipet janë të kujdesshme, mbrojnë mirë dhe realizojnë pak. Por, në çerekun e dytë, loja flet për Vllazninë, që falë një sulmi efikas shkëputet 38-26, ndërkohë që Tirana gabon shumë. Por fillimi i periodës së tretë përmbys totalisht shifrat, me bardheblutë që “zgjohen” dhe luajnë më mirë. Mbështetja e 200 tifozëve “Fanatics” ndihet dhe në fushë është një Tiranë ndryshe, që udhëheq 55-53. Barazime të shpeshta edhe në minutat e fundit, por Tirana është më e kujdshme në fund, shkëputet 5-6 pikë dhe fiton 73-67. Tension mes fansave në fundin e takimit, por forcat e rendit ndërhyjnë dhe gjithçka zgjidhet shpejt. Pavarësisht humbjes, Vllaznia me këtë paraqitje tregoi se ajo mund të rivalizojë si e barabartë me Tiranën deri në fund të kampionatit.

© shkodrasport.com