“Loro Boriçi” pret klasiken e futbollit shqiptar, një Vllaznia-Partizani që gjen personifikimin historik ndoshta më mirë se te kushdo, pikërisht te futbollisti emrin e të cilit mban impianti, Boriçi i madh i Shkodrës, që fitoi dy tituj me Vllazninë, për të ndërtuar më pas një histori suksesi si futbollist dhe trajner te Partizani.

Gjithsesi pavarësisht kujtimeve të së shkuarës, e tashmja nuk lë vend për nostalgjinë. Vllaznisë së kërcënuar për të zbritur për herë të parë nga Kategoria, i duhet të sigurojë një mbijetesë të vështirë, ndërsa Partizani i sotëm është larg shkëlqimit të periudhës së Loro Boriçit dhe si objektiv kryesor ka sigurimin e Europës.

Në Shkodër Ernest Gjoka ka futur skuadrën në shinat e duhura, pasi Vllaznia ka barazuar me Luftëtarin e Kamzën, ka mundur Teutën e madje dhe Flamurtarin, dhe tani i duhet të fitojë të tjera kuota përballë Partizanit, skuadrës që e ka mundur dy herë këtë sezon.

Vllaznia ka fituar besim, e madje dhe tifozët që janë një faktor i rëndësishëm në ndeshjet në shtëpi, ku do të provojë ‘stërkëmbshin’ e radhës ndaj Partizanit.

Ish-ët e mëdhenj të sfidës, Xhevahir Sukaj dhe Renato Malota përbëjnë një kërcënim më tepër për ambiciet e 15 herë kampionëve.

Në ngritje dhe skuadra e kuqe, sidomos në lojë, me Dalipin që pati debutimin e ëndërruar në fitoren 3-0 ndaj Luftëtarit dhe shkon në Shkodër me frymën e duhur.

Partizani ka përjetuar një sezon delikat me mangësi të theksuara në organikë dhe tani për herë të parë, trajneri duket se ka vetëm vështirësinë e përzgjedhjes, me Edgar Çanin që u rikthye në ndeshjen e fundit dhe është gati për më shumë minuta, ndërkohë që tekniku elbasanas pritet të mos bëjë ndryshime në krahasim me formacionin që fitoi pastër ndaj Luftëtarit.

Si shkodranët, ashtu edhe kryeqytetasit synojnë të dalin me 3 pikë nga kjo sfidë, pasi barazimi nuk do t’i shërbente asnjë ekipi, për të arritur objektivat e sezonit. Pikërisht për këtë arsye, në ‘Loro Boriçi’ pritet të shikojmë një sfidë interesante dhe shumë të luftuar nga të dyja skuadrat.