Përballja e së mërkurës ndaj Partizanit konsiderohet shumë e vështirë por njëkohësisht edhe e rëndësishme për Vllazninë.

Megjithatë kuqeblutë do të luajnë vetëm për fitore në këtë takim. Trajneri Ernest Gjoka në prononcimin e tij për mediat në këtë pragndeshje, shpreh besimin e tij tek skuadra për vazhdimin e rezultateve pozitive.

Ai beson edhe tek mbështetja e tifozërisë kuqeblu në këtë takim. Ja si shprehet ai:

-Profesor, pas rezultateve të fundit duket se tek Vllaznia ka më shumë qetësi, apo jo?

Situata natyrisht që duket më e mirë pas rezultateve të fundit pozitive që kemi patur por shqetësimi vazhdon të jetë sepse vazhdojmë të këmbëngulim se kemi shumë punë për të bërë.

Ne kemi një gropë shumë të madhe mungesë pikësh me kundërshtarët që kemi përpara ndërkohë që kundërshtari që kemi pas është shumë i rrezikshëm prandaj duhet të jemi të qetë gjatë gjithë kohës për të bërë sa më mirë punën tonë.

-Shpeshherë vazhdoni të jeni kritik ndaj skuadrës. E bëni këtë për ta mbajtur nën kontroll?

-Nuk është çështje kritike. Mundohem t’ua vërë në dukje herëpashere situatën ku ndodhemi, dua t’u kujtoj se nuk duhet të harrojmë kurrë se ç’kemi hequr sepse është shumë e rëndësishme të kthejmë edhe kokën prapa sepse presioni dhe tensioni ndaj nesh ka qenë shumë i madh.

Duhen të vazhdojmë punën për të arritur atë kauzë që kemi marrë përsipër për të nxjerrë Vllazninë nga ky ngërç.

-Një sfidë shumë e rëndësishme por besoj edhe delikate kjo me Partizanin?

-Sigurisht që është e vështirë sepse mbi të gjitha kemi të bëjmë me një përballje elitare në futbollin shqiptar, dy skuadra që kanë bërë historinë e futbollit tonë, prandaj kjo i jep edhe më shumë përgjegjësi kësaj sfide.

Unë i kam kërkuar skuadrës vetëm dinjitet për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Duhet të ndodhë kështu sepse jemi të dënuar që nga java në javë të vazhdojmë të bëjmë mirë sepse ndryshe prapë rrezikojmë.

-Mbrojtja po funksion në këto ndeshjet e fundit. Do të vazhdojë ajo në këtë rrugë?

-Të gjithë e kemi thënë se kemi patur probleme të mëdha në mbrojtje dhe shpeshherë jemi penalizuar në rezultate nga këto probleme që kemi pasë.

Operacionin që bëmë në këtë repart, e bëmë shumë të kujdesshëm duke e sistemuar atë thuajse 90 për qind. Mendoj se kemi sjellë disa lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë të jashtëzakonshme.

Për shembull Malota që për mua është lideri i mbrojtjes, një lojtar që jep shumë qetësi skuadrës,por edhe Berisha e Mersini.

Dhe të tre ata, bashkë edhe me Gocajn kanë formuar një katërshe shumë të mirë dhe shumë të fortë. Por kur themi se jemi mirë në mbrojtje, nuk duhet të harrojmë se jemi mirë si skuadër.

Po fitojmë qetësi dhe stabilitet. Skuadra nuk mund të formohet me shpejtësinë e erës. Duhet të vazhdojmë të punojmë kështu sepse mund të përmirësohemi gjithnjë e më tepër.

-Por për të fituar, duhet patjetër të shënosh…

-Patjetër. Nëse po pësojmë pak gola, nuk mund të themi se po bëjmë mirë. Por skuadra ka treguar se edhe ka shënuar. Krijon raste, del tek goli dhe besoj se do të vazhdojmë të bëjmë edhe më mirë.

-Tek tifozët vërehet një rritje besimi ndaj skuadrës. Mendoni se do ju mbështesin fort nesër ndaj Partizanit?

-Tifozët janë oksigjen për ne. Kemi nevojë për ta sepse për hir të së vërtetës duhet t’i kemi pranë ngaqë ende jemi në pozita jo të mira.

Vllaznia sot ka nevojë për të gjithë, tifozë, media, njerëz të sportit, të gjithë duhet t’i gjenden pranë. Ne gradualisht po i japim besim tifozëve dhe mendoj se edhe ata kanë filluar të ndjejnë krenari dhe respekt për skuadrën dhe prandaj mendoj se do na mbështesin.

Në fakt e bënë edhe në Kamëz në ndeshjen e fundit kur ndonëse nuk ishin të shumtë në numër, por është një tregues se po mbështetet skuadra, është një tregues se tifozët besojnë tek skuadra. Tashmë na takon ne që bashkë me tifozët, t’i japim kënaqësi qytetit.

-Do të ndikojë mungesa e Orelesit?

-Sigurisht që do të ndikojë sepse tashmë skuadra ka marrë një formë dhe Orelesi është pjesë e rëndësishme e saj.

Por duhet ta zëvendësojmë dhe për fat, kemi disa lojtarë në formë që mund ta bëjnë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë gjë.

-Sipas statistikave, Vllaznia është një nga skuadrat me ecurinë më të mirë në fazën e tretë. Do vazhdojë të shohë rrugën e saj ajo apo duhet të shohë edhe nga rivalët?

-Vërtetë kemi bërë një ecuri të mirë në këtë fazë të tretë por nuk është asgjë me atë se çfarë duhet të jetë Vllaznia.

Janë edhe shumë pikë për t’u marrë në mënyrë që të shkojmë aty ku duhet prandaj duhet të vazhdojmë punën. Nëse i referohemi matematikës, na duhen edhe shumë pikë për të siguruar qetësinë e nevojshme.

Duhet të mbajmë këtë ritëm dhe këto tre javët e fundit të kësaj faze janë shumë të rëndësishme. Luajmë ndaj skuadrave më të mira dhe nëse mbajmë këtë ritëm, besoj se në fazën e katërt, gjërat do të bëhen më të lehta për ne.

-E keni nisur karrierën tuaj tek Vllaznia me sfidën ndaj Partizanit dhe tashmë sërish përballë tij por besoj me një objektiv tjetër apo jo?

-Vërtetë ndeshja ime e parë në pankinën e Vllaznisë ka qenë ndaj Partizanit dhe e humbëm atë. Pavarësisht se e interpretuam mirë atë ndeshje, kjo nuk na mjaftoi dhe ndoshta edhe ngaqë nuk kisha shumë kohë në dispozicion për ta përgatiur siç duhet skuadrën.

Ndërsa sot ajo ka tjetër uri, ka tjetër personalitet dhe unë kam shumë besim tek skuadra që ajo do të na japë kënaqësinë e javëve në vazhdim, edhe pse Partizani është një skuadër me një emër shumë të madh.

-Ndaj Kamzës deklaruar se ishit i kënaqur edhe me një barazim, ndaj Partizanit besoj se vlen vetëm fitorja?

-Në futboll që të ecësh përpara, duhet vetëm fitorja. Por nga ana tjetër, futbolli është i paparashikueshëm dhe brenda tij janë të gjitha rezultatet. E rëndësishme është që ne duhet të shikojmë përpara. Nëse ndodh kështu, patjetër që gjërat do të shkojnë mirë.
© shkodrasport.com