Vllaznia në futboll për femra është duke u përgatitur për ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë. Sivjet, siç është bërë e ditur, në turin final të kësaj veprimtarie janë tre skuadra pjesmarrëse teksa përveç asaj shkodrane janë edhe ato të Kukësit dhe Kinostudios. Këto dy të fundit,pasditen e së shtunës kanë zhvilluar ndeshjen e parë ku kanë fituar vajzat kukësiane me rezultatin 3-1.

Të martën ndërkohë do jetë rradha e Vllaznisë për të luajtur me ekipin e Kinostudios, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Kamëz. Por takimi që do vendosë se kush do ta fitojë këtë trofe për këtë vit, do të jetë ai që do të luhet të shtunën e ardhshme në mes Vllaznisë dhe Kukësit. Këto dy ekipe kanë qenë rivale të njëra- tjetrës edhe në kampionat dhe të tilla do jenë edhe në kupën e Shqipërisë. Trajneri Selami Pepaj nuk do të ketë të gatshme për këto ndeshje 3-4 lojtare titullare megjithatë ai ka në dispozicion një grup tjetër vajzash të talentuara të cilat janë të vendosura për ta bërë të vetin edhe këtë trofe për të dytin vit me rradhë ashtu siç do të tentojnë të fitojnë edhe titullin kampion. Megjithatë këto dy ndeshjet finale të Kupës dhe sidomos ajo e së shtunës të ardhshme me Kukësin, nuk do jenë të lehta sepse edhe ekipet kundërshtare do tentojnë t’I thyejnë vajzat shkodrane megjithatë presidenti I Vllaznisë Lazer Matija ka premtuar se të dyja trofetë e këtij sezoni në futbollin e femrave do të vijnë në Shkodër.

 

© shkodrasport.com