Ndeshja e luajtur dje mes Vllaznisë dhe Egnatias përfundoi në barazim 1-1. Duhet thënë se ishte një ndeshje me raste të shumta për shkodranët, por mungoi goli nga ana e sulmuesve, teksa edhe ai që u shënua, u realizua nga një mesfushor.

Mungesa e golit rëndon kryesisht te sulmuesit Gjurgjeviç dhe Aralica, të cilët në 90-minutëshin e djeshëm nuk arritën të bënin diferencën. Aralica që deri më tani, ka shënuar 5 gola me shkodranët, po ngatërrohet shpesh me këmbët e tij dhe goli prej tij ka kohë që nuk po vjen.

Vllaznia e kërkonte me ngulm fitoren ndaj Egnatias, por trepikëshi nuk mund të vijë pa gjetur rrugën e rrjetës, ndonëse ka një moment të dyshimtë në këtë takim, për një penallti të padhënë për shkodranët.

Kuqeblutë vijojnë të mbesin një skuadër me oshilacione sa i përket shënimit të golave dhe nëse sulmuesi Aralica do të kishte shfrytëzuar rastet që iu dhanë, dje mund të flitej për një rezultat tjetër final në Shkodër.

Vllaznisë duket se i ka humbur ai agresiviteti që kishte më përpara për të shënuar, teksa dy gola në katër ndeshjet e fundit janë shumë pak për një skuadër që pretendon titullin kampion.

Pas problemeve që po kalon Vllaznia për të gjetur rrugën e rrjetës, befas lind pyetja, a ka problem sulmuesish apo është një krizë e momentit? Kjo mbetet për t’u parë në vazhdim.
Maringlen Zhivani