Mbrojtësi malazez Nikolla Vukçeviç pritet të jetë pjesë e Vllaznisë për gjysmën e dytë të sezonit. Marrëveshja mes palëve duket se është arritur pasditen e së shtunës pas një bisede të gjatë që kanë patur në Podgoricë. Në rrethana të tilla, pritet që gjtihçka të mbyllet ditën e hënë dhe Vukçeviç të jetë në Shkodër për të firmosur kontratën dhe për të nisur menjëherë stërvitjen me kuqeblutë. Ky futbollist nuk është I panjohur në fakt për opinion sportiv në qytetin tonë. Ai ka luajtur me Vllazninë edhe në sezonin 2006- 2007 dhe më pas u largua për të luajtur me Buduçnost. Karriera e tij ka vazhduar në Qipro dhe kohët e fundit në Kuvajt ndërkohë që prej ditësh ishte vënë në kërkim të një ekip tjetër dhe ka qenë në tratativa edhe me Tiranën. Megjithatë në fund duket se është bindur të vijë në Shkodër, aty ku e vlerësojnë të gjithë. Vukçeviç ka qenë ditën e shtunë në Podgoricë për të ndjekur ndeshjen Çelik- Vllaznia dhe ndonëse dëshira e  stafit teknik të skuadrës shkodrane ka qenë për ta provuar për disa minuta në fushë, lojtari nuk ka patur dëshirë ta bëjë këtë gjë pa u sqaruar më parë për kontratën. Por edhe kjo pengesë duket se është kaluar pas përfundimit të kësaj miqësore, në bisedën që ka patur me drejtorin sportiv Armir Grima. Në këtë mënyrë, mbrojtësi që në muajin mars mbush 30 vjeç, pritet të jetë përforcimi I duhur për Vllazninë e cila në fakt ka provuar disa mbrojës gjatë kësaj periudhe por asnjëri prej tyre nuk arriti të bindë stafin drejtues. E ndërsa duket se është gjetur mbrojtësi, tashmë pritet edhe një mesfushor. Ende nuk dihet nëse do jetë serbi Paunoviç apo ndonjë futbollist tjetër megjithatë kjo do të merret vesh Brenda 2-3 ditësh.
© shkodrasport.com