Ekipi i Vllaznisë ka hyrë në javën e dytë të përgatitjeve dhe programi stërvitor ka vijuar të jetë i njëjtë me nga dy seanca në ditë, shoqëruar me ngarkesa të mëdha fizike, megjithatë çdo gjë tashmë ka shkuar mirë dhe futbollistët po i përballojnë si duhet ato.

Por stafi teknik njëkohësisht është duke menduar edhe për zhvillimin e ndonjë ndeshje miqësore. Madje, të parën e ka siguruar tashmë teksa do ta luajë ditën e shtunë ndaj Besëlidhjes. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Lezhës dhe pritet t’u shërbejë të dy trajnerëve për të testuar veten.

Jonuz dhe Plori tashmë kanë filluar të mendojnë për skuadrat e tyre dhe kjo miqësore do t’u shërbejë për të parë gjendjen aktuale të ekipeve që drejtojnë.

Drejtuesit e klubit ndërkohë po punojnë për t’ia plotësuar të gjitha kushtet ekipit si për stërvitje, po ashtu edhe për merkaton dhe objektivi është për të ndërtuar një skuadër ndryshe për sezonin e ri dhe premisat duken të mira për këtë.
www.shkodrasport.com