Duke nisur nga sot do të nisin ndeshjet eliminatore të play off-it në kampionatin kombëtar të volejbollit për femra. Katër skuadrat e renditura nga vendi i tretë deri tek i gjashti do të ndeshen me njëra- tjetrën sipas një skeme të përcaktuar, për të nxjerrë më pas dy ekipet që do të vazhdojnë rrugën për në gjysmëfinale të kampionatit, aty ku i presin edhe Mirdita e Barleti Voley.

Ndër katër skuadrat që janë në këto eliminatore është edhe Vllaznia e cila sipas shortit, do të ndeshet me ekipin e Partizanit në këtë tur.Ndeshja e parë do të luhet sot në orën 17.00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit ndërkohë që e dyta do të luhet ditën e premte në orën 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Në gjysmëfinale shkon ekipi që fiton dy ndeshje dhe nëse është e nevojshme për ta përcaktuar këtë verdikt, dy ekipet do të luajnë një ndeshje të tretë të martën e ardhshme sërish në Tiranë.

Vllaznia padiskutim që do të tentojë ta kalojë Partizanin, pavarësisht se ky kundërshtar ka në rradhët e tij lojtare me shumë përvojë.

Por vajzat shkodrane të drejtuara nga Mark Kroqi dhe Adrian Mikopli në fazën e dytë të kampionatit kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer duke fituar pesë ndeshje rradhazi. Vllaznia edhe sot do të tentojë të fitojë në kryeqytet për të synuar më pas kualifikimin të premten në Shkodër.
© shkodrasport.com