Ekipi i Vllaznisë do të nisë stërvitjen më datë 1 korrik. Kështu ka vendosur trajneri Armando Cungu në bashkëpunim me drejtuesit e klubit. Stërvitjet e para kuqeblutë do t’i zhvillojnë në Shkodër dhe përgatitjet këtu do të vazhdojnë për rreth tre javë. Pasi të ndodhë kështu, më pas, diku nga fundi i muajit korrik, ekipi do të largohet diku jashtë vendit për të zhvilluar fazën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri. Drejtuesit po shohin të gjitha mundësitë për të gjetur vendin më të mirë dhe po ashtu edhe mundësinë për të zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe të ndryshme.
Deri më tani, opsionet më të mundshme për zhvillimin e fazës përgatitore janë në Mal të Zi dhe Serbi por akoma nuk është vendosur. Për momentin më i rëndësishëm është kompletimi i skuadrës me lojtarë cilësorë. Deri më tani, kanë firmosur vetëm Gocaj dhe Pepa por dy lojtarë të ardhur janë shumë pak duke parë numrin e madh të futbollistëve që janë larguar nga ekipi. Njerëzit që janë duke u marrë me merkaton e Vllaznisë, janë duke hasur jo pak pengesa në këtë drejtim sepse futbollistët e piketuar kanë kërkesa të larta financiare. Megjithatë, gjërat po bëhen me shumë kujdes dhe për këtë arsye, drejtuesit kuqeblu nuk po nguten në merkato. Më datë 1 korrik kur të nisë stërvitja, të pranishëm do të jenë vetëm futbollistët që janë aktualisht nën kontratë, por në fakt ky numër nuk është shumë i madh, gjithsesi ai do të vijë duke u rritur sepse në ditët në vijim, do të vijnë shumë futbollistë për provë.
© shkodrasport.com