Në mungesë të lojtarëve cilësorë klubet e Superiores i kanë hedhur sytë “gjithandej” për të gjetur elementët e dëshiruar. Në këtë kuadër, nuk bëjnë përjashtim as lojtarët e klubeve të mëdha që militojnë në Kategorinë e Parë. Në fakt, përjashtim bën Vllaznia, e cila ndodhet në Kategorinë e Parë por synon të bëjë merkato në Kategorinë Superiore.

Kështu, drejtuesit e klubit të Vllaznisë kanë nisur përzgjedhjen e emrave që do t’u duhen për sezonin e ardhshëm, duke menduar që tani për vazhdimësinë. Nuk flitet për emra konkretë në këtë fazë, por mësohet se drejtuesit kanë hartuar një listë me lojtarë të Superiores, si dhe me lojtarë shqiptarë që luajnë jashtë, kryesisht me origjinë shkodrane, që të krijohet bërthama e skuadrës së ardhshme.

E thënë ndryshe, Vllaznia po mendon që tani për edicionin e ardhshëm, sepse aktuali cilësohet si detyrim të mbyllet në vend të parë dhe të kalojë sa më shpejt. Pastaj, Vllaznia të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar, aty ku e ka vendin.

Edhe pse nuk flitet me emra konkretë, hartimi i listës shënon një fazë kthese, sepse merkato e dimrit do të shfrytëzohet për të afruar lojtarë të nivelit më të lartë.

Lojtarë që do të jenë në projektin e së ardhmes. Ndërkohë, edhe pse Kategoria e Parë është pushim dhe do të nisë vetëm më 19 janar të vitit 2019, Vllaznia vijon të stërvitet në urdhrat e trajnerit Hasan Lika, duke dëshmuar seriozitet. Hartimi i një liste me lojtarë të dëshiruar, që janë lojtarë të elitës, dëshmon se Vllaznia ka projekte ambicioze pas rikthimit në Superiore./asnn/