Në sezonin e fundit, te Vllaznia ishte si synim aktivizimi dhe promovimi i disa futbollistëve të rinj. Kështu, janë katër futbollistë të rinj, që luajtën disa ndeshje dhe që në të ardhmen e afërt, pritet të jenë protagonistë me Vllazninë.

Deri diku, për Geralb Smajlin nuk ka më dyshime, duke pasur parasysh edhe aktivizimin në miqësoret e fundit në Austri nga trajneri Mirel Josa. Sezonin e fundit, mbrojtësi mori besimin e trajnerit Elvis Plori në disa ndeshje, qoftë si titullar apo edhe si zëvendësues. Në total, luajti gjashtë ndeshje. Mbrojtësi është plotësisht gati për të marrë më shumë përgjegjësi në një të ardhme të afërt.

Ndërkohë, me rradhë vijnë Klejdi Paloka, Kristi Qarri dhe Paulo Pjeshka. I pari ka luajtur katër ndeshje, ndërsa gardiani i portës 3-ndeshje. Poashtu, edhe mesfushori Pjeshka është aktivizuar në ndeshjen ndaj Egnatias në Shkodër.

Të gjithë këta janë futbollistë nga 19 deri në 21-vjeç, një investim i sigurt për klubin, që në fokusin e vet ka pikërisht evidentimin dhe rritjen e të rinjve, duke shtuar këtu edhe dy elementët e fundit, si Rejan Alivoda dhe Antonio Delaj.

Ja të dhënat e të rinjve të aktivizuar sezonin e fundit me Vllazninë: Geralb Smajli 6-ndeshje, Klejdi Paloka 4-ndeshje, Kristi Qarri 3-ndeshje dhe Paulo Pjeshka 1-ndeshje.
Maringlen ZHIVANI