Majkëll Babatunde mendohet të jetë goditja e merkatos së verës jo vetëm për Laçin, por edhe për Superioren, pasi bëhet fjalë për një lojtar me CV të pasur, që ka luajtur me kombëtaren e Nigerisë në Botëror.

Mesfushori ka ardhur te kurbinasit pas një pushimi njëvjeçar dhe, mesa duket, shkak për këtë është bërë ndjekja e proceseve gjyqësore nga mesfushori nigerian me ish-klubin nga Maroku, Uydad Atletik.

Babatunde ka pasur probleme me pagesat me klubin maroken dhe lojtari e ka çuar çështjen në FIFA, ku edhe ka dalë fitues, ndonëse jo në nivelin që ai kishte pretenduar ndaj ish-klubit.

Në përfundim të procesit, mesfushori më i ri i Laçit ka përfituar 557 mijë e 600 dollarë amerikan plus përqindjet e interesit për vonesat e pagave sipas zërave të specifikuar në vendim përfundimtar të procesit në FIFA.

Më 28 shtator 2021, Majkëll Babatunde paraqiti një kërkesë para FIFA-s për shpërblimin e papaguar dhe kërkoi sa vijon: 732,200 dollarë si shpërblim i papaguar; 300 000 dollarë si kompensim për torturat emocionale; 50 000 dollarë si tarifë ligjore.

Pas ballafaqimit të dokumentacionit mes palëve dhe shlyerjes së kryer, FIFA i ka dhënë pjesërisht të drejtë 29-vjeçarit, ku klubi maroken është i detyruar të dredhë në llogarinë e Babatundes 557 600 dollarë, plus interesin për vonesën.

Pas përfitimit të së drejtës së tij, tani nigeriani është i fokusuar te Laçi për të kapur formën dhe, pse jo, për ta përdorur si trampolinë për një rilindje të karrierës së tij.