Kjo javë nuk ka qenë e suksesshme për ekipin e Vllaznia U17. Ata nuk kanë arritur të fitojnë dot ndaj ekipit të Shënkollit, teksa 17-vjeçarët janë mundur 1-0 nga ky kundërshtar.

Takimi është luajtur në fushën sportive “Porto” në Lezhë dhe është shoqëruar me një rivalitet të fortë, sepse edhe ekipi i Shënkollit është pretendent në këtë sezon, ngaqë kanë në përbërje të tyre shumë lojtarë cilësorë.

Ndeshja ka nisur e shpejtë me të dyja skuadrat në kërkim të fitores dhe vendasit e Shënkollit kanë kaluar në avantazh, pas një autogoli të Jukaj. Pjesa e parë do të mbyllej kështu me këtë rezultat.

Ndërkohë, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dy ekipet, pjesa e dytë nuk ka prodhuar gola. Kështu është mbyllur gjithçka me fitoren 1-0 të ekipit Shënkolli U17.

Duhet thënë se drejtuesit e ekipit shkodran kanë patur shumë akuza për pritjen dhe sjelljen e vendasve, por edhe për arbitrimin që sipas tyre, ka ndikuar dukshëm në rezultatin e ndeshjes. Pas kësaj ndeshjeje, Vllaznia U17 renditet në vendin e dytë me 31 pikë, po aq sa edhe Shënkolli që ndodhet në vendin e tretë.
Maringlen ZHIVANI