Vllaznia U-20 në volejboll për femra është shpallur fituese e titullit kampion për këtë sezon, 2021-2022. Pasditën e sotme, ajo ka fituar me rezultatin 3-2, në finalen e tretë ndaj ekipit të Dinamos.

Në dy ndeshjet e tjera, skuadra shkodrane kishte fituar finalen e parë në Shkodër dhe Dinamo të dytën në Tiranë, teksa ballafaqimi i ditës së sotme vendoste gjithçka për ekipin kampion.

Ndeshja e sotme, që ishte edhe finalja e tretë mes këtyre dy ekipeve, është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është ndjekur me interes nga tifozëritë e të dy ekipeve. Në fushën e lojës ka pasur një rivalitet të madh, por deri në fund Vllaznia ka luajtur më mirë dhe e ka merituar fitoren.

Në fakt, ato e kanë nisur me humbje setin e parë në shifrat 18-25, por ndërkohë në të dytin kanë barazuar, duke udhëhequr vazhdimisht, teksa në fund do të fitonin me rezultatin e thellë, 25-9.

As i treti nuk ka shumë histori dhe vajzat kuqeblu të drejtuara nga trajneri Ferdinand Bardeli, e kanë fituar lehtë 25-15 dhe në këtë mënyrë, kalojnë në avantazh me shifrat 2-1.

Në setin e katërt, Dinamo bëri një paraqitje shumë të mirë dhe arriti ta fitonte këtë set me shifrat 19-25. Kështu, duhej edhe një set i pestë për të përcaktuar fituesin e ndeshjes dhe poashtu edhe të titullit kampion.

Në setin e pestë, Vllaznia, e drejtuar nga trajneri Ferdinand Bardeli, arriti të fitojë 15-9 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me shifrat 3-2.

Kështu, ekipi shkodran u shpall fituese e kampionatit, duke arritur të sigurojë titullin kampion për këtë sezon, 2021-2022. Për këtë fitim të titullit gjatë sezonit, kanë kontribuar volejbollistet e formacionit të parë dhe pikërisht duke nisur nga: Baroti, Gjyshja, Kuçi, Erkoçi, Beci, Kodra, Malaj, por edhe Ballçiti, Mikopula, Malaj dhe Gruemira.

Maringlen ZHIVANI