Skuadra shkodrane ka vazhduar edhe sot me seancat stërvitore në kuadrin e përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit. Ajo që të bën përshtypje është se ndonëse kemi të bëjmë me fazë përgatitore, prej 10 ditësh tek Vllaznia ende nuk ka qenë një ditë me dy seanca stërvitore. Trajneri Shpëtim Duro aplikon çdo ditë vetëm një stërvitje, kryesisht në orën 11.00 të paradites dhe pas përfundimit të saj, futbollistët lihen të lirë. Nga drejtuesit e klubit është menduar që të dielën ekipi të udhëtojë drejt Ulqinit për të zhvilluar atje dy javë stërvitje intensive por deri në këto momente askush nuk e ka të qartë nëse do bëhet nisja apo jo. Kjo ngaqë futbollistët, por edhe trajneri Duro duan paratë e kontratave. Nga ana e drejtuesve të klubit ndërkohë po bëhet çmos që situata e krijuar të marrë zgjidhje sa më shpejt por duket se do ketë disa pengesa. Më shumë ata gjatë këtyre 2-3 javëve janë marrë me kalimin e klubit në duart e biznesmenëve dhe nga ana tjetër kanë harruar detyrimet që kanë ndaj skuadrës.Bisnesmeni Agron Çela edhe prej kësaj, nuk ka nxituar ta marrë klubin në duart e tij pa u sqaruar të gjitha këto mosmarrëveshje financiare. Ajo çfarë ka rëndësi është që kuqeblutë duan të marrin një përgjigje sa më të shpejtë për të ardhmen.
www.shkodrasport.com