Vllaznia e mbylli sezonin futbollistik me fitoren e trofeut të Kupës së Shqipërisë. Një nga më të merituarit ishte edhe sulmuesi Ardit Hoxhaj, që ndihmoi skuadrën me golat e shënuar. Paraqitjet e tij nuk kanë mbetur pa u vënë re nga Klube jashtë vendit tonë, ku në një intervistë për Sport Magazine në Ora News, pohon se ka interesim për të.

“Momentalisht që flasim jam ende në kontratë me ekipin e Vllaznisë, kam edhe dy vite të tjera kontratë. Mund të them që deri tani ka pasur interesime nga klube të huaja, por që jam lojtar i Vllaznisë dhe deri sa klubi të vendosë diçka për mua do të bëj maksimumin e ekipit.

Personalisht do më pëlqente të luaja në Kupat e Europës me Vllazninë.Është e vërtetë që jam lakuar për pjesën e largimit në Turqi. Kam pasur edhe një ofertë zyrtare nga ekipi turk. Kisha një klauzolë të ulët dhe mund të ndodhte ai transferim.

Por dëshira ime është që siç i nis gjërat, ti çoj deri në fund. Nuk më pëlqen ti lë gjërat përgjysmë. Te mua dëshira është që të luaj jashtë, të provoj veten në një kampionat më të fortë. Futbolli jashtë të ofron edhe gjëra të tjera përveçse të zhvillon më shumë si lojtar” – tha ai.