Futbolli i Qarkut Shkodër kaloi një “krizë” jo të vogël në këtë fundsezoni. Tre prej skuadrave të tij, pikërisht Vllaznia, Veleçiku dhe Ada shkuan në play-out dhe për të qëndruar në kategoritë respektive, iu desh të luanin nga një ndeshje shtesë, ndërkohë që Tërbuni është përjashtuar dhe nuk kishte më shanse të provonte fatin e tij.

Ajo që duam të themi është se tre skuadrat që zbritën në fushë për të shpëtuar nderin e tyre, ia dolën. Vllaznia në play-out mundi 3-1 Besëlidhjen dhe ia doli të qëndronte sërish në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm.

Po ashtu Veleçiku dje, përmes shumë drithërimash ia doli në minutat shtesë të fitonte ndaj Maliqit dhe të siguronte qëndrimin përsëri në kategorinë e parë edhe për një sezon tjetër.

Ndërkohë, e para që e siguroi këtë gjë ishte Ada e Velipojë. Në ndeshjen shtesë ajo fitoi 6-2 ndaj Valbonës së Tropojës dhe mbijetoi në kategorinë e dytë.

Këto rezultate i kanë kënaqur sportdashësit e Shkodrës, Koplikut dhe Velipojës, por vetëm për pak kohë. Ata presin të tjera gjëra dhe të tjera objektiva nga ekipet e tyre të zemrës.

Tek Vllaznia në fakt kanë nisur lëvizjet dhe premisat janë që sezoni i ri ta gjejë krejt ndryshe atë. Me përbërje dhe objektiva krejt të tjera dhe lajmet e fundit kanë gëzuar të gjithë tifozët kuqeblu.

Edhe në Koplik, kryebashkiaku Marinaj mësohet se ka ndër mend t’i ndërtojë ndryshe gjërat për sezonin e ri dhe Veleçiku nuk do të ketë objektiv të vetëm mbijetesën, por edhe më shumë dhe për këtë arsye, pritet që edhe aty të ketë një organizim të ri.

Ndërkohë nuk do të mbesë pas edhe Ada. Presidenti Alfred Pjetri ka premtuar gjëra të mira për sezonin që vjen dhe kuptohet që jo vetëm nuk do të diskutohet më mbijetesa, por do shihet për vendet e para të renditjes.
www.shkodrasport.com