Vllaznia në fushë ka çaluar jo pak këto vitet e fundit dhe rezultatet për rrjedhojë nuk kanë qenë ato të duhurat, duke e renditur këtë ekip shpeshherë në vendet e fundit dhe madje edhe duke rënë nga Superliga dy sezone më parë.

Por në një aspekt tjetër, mund të themi me plot gojën se ekipi shkodran është pse jo, në vendin e parë. E kemi fjalën
për stafin mjekësor të tij që është ndër më të mirët në Shqipëri.

Pjesë e tij është mjeku i mirënjohur sportiv Zyhdi Çoba me një eksperiencë mbi 50 vjeçare dhe natyrisht që përvoja e
tij është shumë e rëndësishme.

Ndërkohë një nga emrat më të njohur dhe që shpeshherë është bërë protagonist për mirë, është fizioterapisti Ilirjan
Haxhaja i cili ka arritur të zgjidhë si duhet disa momente të vështira që kanë ndodhur në fushën e lojës në periudha
të caktuara.

Prej dy sezonesh ndërkohë pjesë e stafit të Vllaznisë është edhe masazhatori Redis Mesi. Ai pason traditën familjare
të babait të tij, Ruzhdisë, që ka shërbyer tek ekipi i futbollit për 30 vite me rradhë.

Së fundi këtyre tre pjestarëve u është shtuar edhe Ani Ferhati, një futbollist që e ka shumë pasion fizioterapinë dhe
i është bashkuar edhe stafit mjekësor të Vllaznisë duke dhënë tashmë kontributine tij.

Stafi shkodran padyshim që po e bën si duhet punën e vet dhe rasti i para dy javëve kur shpëtuan futbollistin e Bylisit Hadroj që kaloi momente të vështira gjatë ndeshjes që po luhej në “Loro Boriçi”, është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe profesionalizmit të tij.
www.shkodrasport.com