Basketbollistët e Vllaznisë kanë zhgënjyer me paraqitjen e bërë në finalen e parë të kampionatit, atë të luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit ndaj Tiranës. Ata kanë humbur me rezultatin e thellë 71 me 98 duke mos treguar asgjë të mirë në paraqitjen e tyre. Që në minutat e para të ndeshjes, kuqeblutë e trajnerit Sharin, janë inferiorë ndaj bardhebluve që e fitojnë periodën e parë me shifrat 27 me 18. Pritej një reagim i shkodranë në të dytën por kjo nuk ndodh. Basketbollistët amerikanë që janë pjesë e Vllaznisë nuk bëjnë asgjë për të mbajtur skuadrën e tyre në lojë dhe po ashtu dhe pjesa tjetër e ekipit, bën një lojë me shumë gabime. Perioda e dytë mbyllet 26 me 19 po për Tiranën dhe në këtë mënyrë, dy ekipet shkojnë në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 16 pikësh në favor të bardhebluve. Një diferencën e tillë natyrisht që nuk ishte e pakthyeshme por në fakt, kuqeblutë nuk bëjnë asgjë për ta kthyer. Madje në periodën e tretë ajo do thellohej edhe më shumë sepse është sërish Tirana që fiton 23 me 14 duke e çuar në 25 pikë diferencën. Kaq ka mjaftuar që stafi teknik i Vllaznisë të ndërhyjë për të larguar nga fusha shumë prej titullarëve dhe për t’i dhënë hapësira edhe lojtarëve të stolit sepse kuptohet qartë që fati i kësaj ndeshje tashmë ishte përcaktuar. Perioda e katërt nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe dhe përfundimisht 98 me 71 për vendasit që fitojnë në këtë mënyrë finalen e parë duke hedhur një hap të sigurtë drejt fitimit të titullit kampion. Nga ana tjetër, Vllaznia i ka zhgënjyer të gjithë me atë paraqitje të bërë duke mos u shfaqur aspak dinjitoze në fushën e lojës. Natyrisht që kjo ishte vetëm finalja e parë dhe në lojë janë edhe katër të tjera megjithatë shumë e rëndësishme do të jetë finalja e dytë, ajo e së mërkurës në Shkodër. Në rast se Vllaznia fiton, do të thotë se rifutet në lojë, ndryshe, gjithçka mbyllet të shtunën e ardhshme në Tiranë dhe ëndërra e shkodranëve për të fituar titullin e katërt rradhazi, merr fund.

www.shkodrasport.com