Kampionatet kombëtare të volejbollit për femra dhe meshkuj do të hapin sot javën e gjashtë, një javë që dhuron përballje tepër interesante. Në radhët e vajzave sot do të zhvillohen dy takime në orën 16:00.

Vllaznia luan në transfertë kundër Teutës në Durrës, ndërsa Pogradeci udhëton drejt kryeqytetit për t’u përballur me Lushnjën në sallën e Farkës. Ndërkohë, e shtuna rezervon dy ndeshje në kryeqytet në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Fillimisht në orën 14:00 Barleti pret Skënderbeun, me universitaret e Altin Gorenxës që vijnë nga një moment pozitiv pas fitores së arritur në javën e kaluar ndaj Tiranës, ndërsa korçaret regjistrojnë deri më tani vetëm fitore. Por kryendeshja e javës është pa diskutim derbi ndërmjet Partizanit dhe Tiranës në orën 17:00.

Të kuqet e trajneres Amarilda Prenga kanë pasur një start perfekt në këto 4 javë, duke mos gabuar asnjë set. Nga ana tjetër, vajzat bardheblu të Hasan Gurabardhit do të kërkojnë reagimin pas hapit fals në derbin kundër Barletit.

MESHKUJT – Për sa i përket Superligës së djemve, sot në orën 17:00 në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, Elbasani pret Erzenin, ndërsa në orën 18:00 në Durrës do të luhet sfida TeutaVllaznia. Sfidat do të vijojnë nesër në orën 17:00 me një tjetër përballje interesante në “Asllan Rusi”, aty ku në orën 17:00 do të matin forcat Studenti dhe Skënderbeu. Por edhe te meshkujt kryendeshja e javës do të jetë derbi Partizani-Tirana në orën 19:00 në “Asllan Rusi”.

Përballë do të jenë dy finalistët e edicionit të kaluar, me bardheblutë që ngritën lart titullin pas një serie finalesh emocionuese. Por ky sezon ka nisur më mirë për “demat”, të cilët janë të parët dhe njohin vetëm fitore, ndërsa Tirana pozicionohet e treta me 3 fitore e 1 humbje.