E ka mundur 6 dite më parë për kampionat në shifrat 3-1 dhe me të njëjtin rezultat e ka mundur edhe sot për Kupën e Shqipërisë. E kemi fjalën për Vllazninë në volejboll për femra e cila e ka mundur dy herë brenda pak ditësh ekipin e Barleti Volej në ndeshjet e luajtura në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Lisha e ka nisur mirë ndeshjen duke e fituar setin e parë në shifrat 25-12, ndërkohë që e nis mirë edhe të dytin, por në fund është Barleti që fiton 25-23 duke barazuar shifrat e seteve.

Shkodranet reagojnë shpejt në setin e tretë duke e fituar atë me rezultatin 25-22 dhe më pas edhe të katërtin 25-21 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Vllaznia kësisoj kualifikohet për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në fitoren e sotme sigurisht që kanë patur një kontribut të gjitha volejbollistet por në veçanti kanë spikatur tre lojtaret e huaja Pronina, Auramchyk dhe Kniazeva, por pa lënë mënjanë edhe Malajn, Kodra, Erkoçi, Ballçiti etj.

Në gjysmëfinale vajzat kuqeblu do të ndeshen me Partizanin ku padyshim që do të kërkojnë të testojnë veten dhe të paraqiten sa më mirë, pse jo për të kërkuar edhe kualifikimin në finale të këtij kompeticioni./SHKODRA-SPORT.COM/