Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj i është drejtuar plazhit të Velipojës për të zhvilluar fazën përgaditore. Pas pushimeve të verës, volejbollistët e Vllaznisë janë përgaditur për të qënë të gatshëm për sezonin e ri 2011-2012. Shkodranët kanë qëndruar në Velipojë deri ne fund të muajit gusht, pra në një periudhë 10 ditore.

Gjatë këtyre 10 ditëve trajneri Kalaja ka synuar që volejbollistët që ai drejton të arrijnë një formë optimale para nisjes së sezonit të ri që do të fillojë me 15 tetor. Është zgjedhur pikërisht Velipoja sepse është afër me qytetin e Shkodrës, vetëm 35 kilometër largësi, ndërkohë që gjithashtu ka klimë të pastër dhe ndihmon për një shëndet të mirë. Kuqeblutë e volejbollit me 31 gusht janë rikthyer sërish në Shkodër për të vijuar përgaditjet. Me seancat stervitore intensive që po zhvillohen trajneri Kalaja kërkon të ketë edhe kësaj here një ekip pretendent serioz për fitimin e titullit kampion, pavarësisht se nga shkodranët në merkaton e verës u larguan dy volejbollistë Endri Jukni e Renato Kola të cilët firmosën me Teutën e Durrësit. Këto largime sipas trajnerit të Vllaznisë nuk janë shumë problematike sepse do të zëvendësohen me elementë cilësor nga ekipi i të rinjve që sezonin e fundit u shpall Nënkampion Kombetër. Dy vitet e fundit Vllaznia është listuar ndër skuadrat kryesore për fitimin e trofeve, por kësaj here duhet pritur nisja e kampionatit për të parë se çfarë do të na ofrojnë volejbollistët shkodran këtë sezon.