Janë luajtur sot takimet e javës së 10-të dhe të fundit të sezonit të rregullt në volejboll për femra, duke përcaktuar edhe 4 skuadrat gjysmëfinaliste të play off-it. Nga Grupi A janë kualifikuar Barleti Volley e Vllaznia, ndërsa nga Grupi B dy ekipet kryeqytetase të Tiranës dhe Partizanit. Pra, në gjysmëfinalet e play off-it për titullin kampion do të jenë të njëjtat skuadra si në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Në takimet e javës së 10-të vëmendja ishte te Grupi B, te sfida Partizani-Skënderbeu, që duelonin për një vend në katërshe. Kryeqytetaset fituan 3-0 (25-23, 25-16, 26-24), një ndeshje me rivalitet dhe emocione. Suksesi çon Partizanin në play off, ndërsa korçaret largohen të zhgënjyera, pasi humbën një shans të madh. Në ndeshjet e tjera të këtij Grupi, Tirana fitoi 3-2 ndaj Lushnjës (21-25, 23-25, 25-16, 25-17, 15-7), ndërsa Korabi korri fitoren e parë sezonale, duke mundur 3-0 Teutën (25-12, 25-16, 25-22).

Në Grupin A, Barleti Volley e mbylli në vendin e parë, duke mundur 3-0 Apoloninë (25-14, 25-17, 25-20). Pas barletase u klasifikua Vllaznia, që ka zene vendin e dyte ne grup. Fitoren e parë sezonale korri edhe Mirdita, që në fushën e saj mundi 3-2 Elbasanin (9-25, 19-25, 25-13, 25-22, 15-13).

Volejboll – Femra, Grupi A (java e 10-të)

Barleti Volley – Apolonia, 3-0

Mirdita – Elbasani, 3-2

Renditja: Barleti Volley 27 pikë, Vllaznia 22 pikë, Apolonia 20 pikë, Flamurtari 12 pikë, Elbasani 4 pikë, Mirdita 2 pikë.

Volejboll – Femra, Grupi B (java e 10-të)

Tirana – Lushnja 3-2

Korabi – Teuta, 3-0

Partizani – Skënderbeu, 3-0

Renditja: Tirana 24 pikë, Partizani 24 pikë, Skënderbeu 22 pikë, Lushnja 14 pikë, Korabi 3 pikë, Teuta 3 pikë.