Veprimtaria mbarëkombëtare e volejbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës ka mbyllur të hënën zyrtarisht fazën e grupeve me takimin e fundit të vlefshëm për grupin A të meshkujve, atë midis Partizanit dhe Vllaznisë.

Takimi që u luajt në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga RTSH Sport, ka patur vlerë statistikore, sepse Partizani ishte kualifikuar për në gjysmëfinale si i pari i grupit.

Ndërsa Vllaznia, edhe sikur ta fitonte këtë takim 3-0 apo 3-1, do të barazohej me pikë me Ferizajn, por skuadra nga Kosova do të kualifikohej sidoqoftë, sepse i kishte fituar të dyja sfidat me shkodranët, si në shtëpi, ashtu edhe në fushë të huaj, me shifrat 3-1.

Dhe sfida e së hënës ka qenë një rrugë me një kalim për skuadrën e trajnerit Ylli Tomorri, që e ka marrë setin e parë brenda 18 minutash me shifrat 25-18. Seti i dytë ka qenë më i luftuar, teksa ka zgjatur 26 minuta dhe është luftuar pikë për pikë, por është sërish Partizani që e fiton atë 25-23, ndërsa e njëjta tablo ka qenë edhe në setin e 3-të të fituar nga kryeqytetasit me shifrat 25-21, që e mbyllin kështu gjithçka në 3 sete.