Ka shënuar 13-gola në kampionatin e fundit dhe si rrjedhojë, ka dhënë një kontribut shumë të madh në shpalljen kampion të ekipit të Vorës. E kemi fjalën për sulmuesin Jasmin Rraboshta, i cili është një prodhim i futbollit shkodran, ku krahas Vllaznisë, ka provuar të luajë me sukses edhe në disa skuadra të tjera të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe këtë edicion, teksa ishte pjesë kryesore e ekipit të Vorës që u shpall kampion në Kategorinë e Dytë. Padyshim, Rraboshta ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të formacionit të trajnerit Artan Mërgjyshi, pasi spikati edhe si golashënuesi më i mirë, me plot 13-gola të shënuar këtë kampionat nga ana e tij.

Vlerat e tij konfirmohen edhe në faktin e numrit të golave të shënuar në këtë sezon futbollistik. Me këtë ecuri pozitive, Rraboshta është i preferuari i drejtuesve të klubit të tij dhe trajnerit Artan Mërgjyshi për të vijuar karrierën në Vorë.

Duket se edhe vetë sulmuesi shkodran ka vendosur të “tregojë besnikëri” ndaj kësaj skuadre në të ardhmen dhe të jetë sërish pjesë e saj edhe në sezonin e ri në Kategorinë e Parë.
Maringlen ZHIVANI