Monday, May 25, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREXhaferi: I zhgënjyer, por ende besoj. Dinamo shpresoj të luajë me...

Xhaferi: I zhgënjyer, por ende besoj. Dinamo shpresoj të luajë me maksimumin sportiv siç bëri ndaj nesh

Dy ndeshjet e para të “Final 4” nuk kanë dhuruar rezultatet e duhura për Vllazninë dhe si rrjedhojë shanset e saj për fitimin e titullit kampion janë zvogëluar ndjeshëm ndonëse gjithçka do të vendoset në ndeshjet e së dielës. Zemërimi në rradhët e tifozërisë shkodrane është i madh, por sigurisht edhe tek vetë pjestarët e skuadrës dhe veçanërisht tek presidenti Alban Xhaferi.

Pas ndeshjes të së shtunës ndaj Egnatias, Gazeta “Shkodra Sport” ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me numrin 1 të klubit shkodran, ku shprehet se Vllaznia do të bëjë detyrën e saj deri në sekondën e fundit, por nga ana tjetër beson se edhe Dinamo do ta respektojë kampionatin, siç bëri duke luajtur dhe e merituar fitoren ndaj kuqebluve. Për më shumë lexoni intervistën e presidentit Xhaferi dhënë për gazetën tonë:

President, ‘Final 4″ nuk nisi ashtu si duhet për Vllazninë. Si i komentoni këto dy ndeshjet e luajtura ndaj Dinamos dhe Egnatias?

Të them të drejtën, janë shumë zhgënjyese, sepse aty ishte mundi dhe djersa e gjithë sezonit. Megjithatë, nuk mund të them se e vlerësoj negativisht paraqitjen ndaj Egnatias, pasi ajo ndeshje u vendos nga episodet dhe lojtarët dhanë gjithçka në fushë. Ndërsa ndeshja me Dinamon ishte zhgënjyese, sepse ekipi nuk arriti të menaxhojë presionin e momentit, kundër një ekipi me mundësi minimale matematikisht për t’u shpallur kampion.

Po në tërësi si e analizoni ecurinë e Vllazninë gjatë gjithë sezonit?

Nëse flasim për gjithë sezonin, mendoj se Vllaznia ka bërë një kampionat të mirë në përgjithësi, edhe pse ka pasur ulje-ngritjet e veta, sidomos në fazën e katërt dhe në këto dy ndeshje të “Final 4”. Një nga faktorët kryesorë kanë qenë dëmtimi i rëndësishëm i Kastratit në fazën kryesore të kampionatit, si dhe problemet me Bismark.

Pa dashur të justifikoj rezultatet, për të cilat jam i zhgënjyer, mendoj se edhe arbitrimi ka pasur ndikimin e vet në disa momente kyçe. Mjafton të kujtojmë anulimin e golit të rregullt në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Dinamos në Tiranë, apo episodin e kartonit të kuq të Gurishtës ndaj Egnatias. Në futboll episodet shpesh vendosin rrjedhën e ndeshjeve.

Po thoni që arbitrimi mund të ketë ndikuar me qëllim për të dëmtuar Vllazninë?

Nuk mund të them këtë. Por faktet janë fakte dhe ne presim një arbitrim korrekt në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit.

Sa janë shanset për titull kampion në këtë moment, duke qenë se tashmë nuk varet vetëm nga Vllaznia?

Ne do të bëjmë detyrën tonë në fushë deri në sekondën e fundit. Besoj se titulli duhet të vendoset vetëm në fushë dhe të fitojë skuadra që e meriton më shumë. Vllaznia e ka udhëhequr kampionatin për pjesën më të madhe të sezonit dhe do ta respektojë garën deri në fund. Përpara kemi një ndeshje shumë të fortë me Elbasanin, një kundërshtar që meriton respekt për atë që ka treguar gjatë këtij sezoni.

Nga ana tjetër, Dinamo ka zhvilluar gjithashtu një sezon shumë të mirë dhe ka treguar se është skuadër me karakter dhe cilësi. Trajneri Ilir Daja ka eksperiencën dhe mentalitetin e duhur për këto ndeshje, ndërsa presidenti Bardhi ka ndërtuar një klub serioz dhe kompetitiv me lojtarë cilësorë.

Ashtu siç respektuan ndeshjen ndaj nesh në “Final 4”, ku fituan me meritë, jam i bindur se Dinamo do ta luajë edhe ndeshjen ndaj Egnatias me maksimumin sportiv dhe profesional deri në fund, sepse kështu e meriton fanella që përfaqësojnë. Në fund, gjithçka është në dorë të Zotit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments