Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj më në fund ka mbërritur tek goli. Ai ka shënuar për skuadrën e tij Sepahan në ndeshjen e luajtur ndaj Persepolis. Goli i shkodranit 24 vjeçar është shënuar në minutën e 83-të të ndeshjes dhe u duk se me këtë gol ai do t’i jepte fitoren skuadrës së tij por nuk ka ndodhur kështu pasi kundërshtarët kanë barazuar në minutën e 90-të të ndeshjes. Ndeshja e sotme ka qenë e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit. Ky gol ka vlera të veçanta për Sukajn sepse është i pari në ndeshjet zyrtare për Sepahanin. Trajneri i tij Kranjçar vazhdon t’i besojë ish-futbollistit të Vllaznisë i cili nuk po e zhgënjen atë.
Në janar ka qenë pikërisht Kranjçar që e ka kërkuar me ngulm këtë futbollist dhe Sepahani u tregua i gatshëm të derdhte shumën e 50 mijë eurove në arkën e Vllaznisë për ndërprerjen e kontratës. Dhe Sukaj po bën një paraqitje të mirë në çdo ndeshje të luajtur deri tani ndërkohë që sot më në fund ka dalë edhe tek goli. Ky është goli i parë por shpresojmë që më pas do ketë edhe shumë të tjerë për të.
www.shkodrasport.com