Xhudistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në garat e Kupës së Shqipërisë për të rritur dhe për kadetë, gara këto që u zhvilluan në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Ata kanë dominuar mbi të gjithë ekipet e tjera por çuditërisht Federata Shqiptare e Xhudos nuk ka dhënë kupën për ekipin më të mirë. Ndoshta edhe si hakmarrje për problemet që ajo Federatë ka prej kohësh me ekipet e Shkodrës. Kështu, në garat e të rriturve, nga shtatë kategori në të cilat ka patur ndeshje, katër prej tyre janë fituar nga xhudistët e Vllaznisë.

Roland Vasija ka zënë vendin e parë në peshën 60 kilogramë, Juli Marku në peshën 90 kilogramë, Aurel Gjoni në peshën 100 kilogramë dhe Ndoc Ndoci në peshën super të rëndë. Një dominim absolut i tyre që e bënte automatikisht Vllazninë ekipin fitues të Kupës për vitin 2016 por në fakt kupa mungon. Kjo natyrisht që nuk ka shumë rëndësi sepse edhe pa kupë, sportistët shkodranë kanë treguar se janë më të mirët por nuk ka asnjë logjikë pse të mos ketë një kupë për ekipin fitues sepse kështu ndodh në të gjitha sportet. Ndërkohë, gara ka patur edhe në kategorinë kadetë. Edhe këtu nuk kanë munguar vendet e para. Matilda Bardhi është shpallur fituese në peshën 57 kilogram ndërsa Xhovani Shkoza në peshën 60 kilogramë ndërkohë që Damian Çuni dhe Emanuel Guri kanë zënë vende të dyta. Gjithsesi, me paraqitjen e fundit, xhudistët e Vllaznisë kanë treguar edhe njëherë tjetër se janë më të mirët në Shqipëri dhe përveç fitimit të Kupës së Shqipërisë, do të synojnë të fitojnë edhe titullin kampion.
www.shkodrasport.com