Paraqitje shumë e mirë e xhudistëve shkodranë në turneun ndërkombëtar të Sarajevës. Mes sportistëve pjesmarrës nga 28 shtete të Europës, ata kanë arritur të marrin 3 medalje. Dy prej tyre kanë qenë të argjendta dhe ndoshta me pak kujdes në ndeshjet finale edhe mund të ishin shndërruar në të arta. Ky turne është zhvilluar në Mostar të Bosnjës, ku Shqipëria është përfaqësuar me 5 sportistë të ekipeve të Vllaznisë dhe Vau Dejës. Ndër ta, Markelian Tanushi në kategorinë U-21 ka humbur ndeshjen e pare, duke mos arritur të shkojë më tej.

Ndërkohë, Damian Çuni në kategorinë U-15, ndonëse ka fituar tre ndeshje dhe humbur dy, nuk ka arritur dot të ngjitet më lart se vendi i pestë. Paraqitje më të mirë kanë bërë tre sportistët e tjerë. Sara Kovaçi në kategorinë U-12 ka zënë vendin e tretë, duke merituar medaljen e argjendtë.Figurën më të mirë nga pjestarët e ekipit tonë e kanë bërë sportistët Roland Vasija dhe Anxhela Krasniqi. Vasija në kategorinë U-18 në peshën 60kg, ka arritur të fitojë katër ndeshje duke siguruar në këtë mënyrë daljen në finale, aty ku ka qenë më para në pikë se sa kundërshtari, por me disa gabime të vogla, ka arritur ta humbë atë duke u mjaftuar me vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë. Edhe Krasniqi ka zënë vendin e dytë në kategorinë U-21 në peshën 63kg. Ekipi në këtë aktivitet ka qenë i shoqëruar nga trajneri Luigj Shkoza, ndërsa përgjegjës ekipi ka qenë Ferdinand Jaku. Paraqitja e xhudistëve shkodranë në këtë turne kaq të rëndësishëm sigurisht që meriton respekt dhe vëmendje sepse nuk është pak të marrësh tre medalje në mes 1200 sportistëve pjesmarrës.

 

© shkodrasport.com